241 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS, 18 KORRIK 2014

Prishtinë, 18 Korrik 2014 – Është mbajtur takimi i shtatëdhjetekatër i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial themeloi grupin punues për shqyrtimin e katalogut të rekomandimeve nga Projekti i BE-së për mbështetje KPK-së dhe KGJK-së lidhur me sistemin prokurorial të Kosovës. Grupi punues do të udhëhiqet nga nënkryetari i Këshillit Prokurorial z. Idain Ismailji, kryetar i grupit punues,  si dhe nga anëtarët, z. Besim Kelmendi, prokuror nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, z. Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit, z. Bahri Hyseni, prokuror nga Prokuroria Themelore e Ferizajt si dhe z. Ehat Miftari, drejtor i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorëve.

Gjatë takimit, Këshilli Prokurorial aprovoi procedurat standarde të veprimit për përzgjedhjen e shënjestrave të krimeve të rënda dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Po ashtu, gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial  themeloi Komisionin për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve të propozuar nga Shoqëria Civile për anëtar të Këshillit Prokurorial, sipas konkursit të shpallur nga KPK.  Këtë Komision do ta kryesoi ushtruesja e detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, znj. Sevdije Morina, së bashku me anëtarët e këtij komisioni, z. Idain Ismajli, prokuror nga Prokuroria e Apelit, dhe anëtarin e Këshillit Prokurorial, z. Teki Bokshi.

Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte raporti i shkurtër nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, raport ky i cili u pranua si informatë nga anëtarët e Këshillit Prokurorial.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së Pallatit të Drejtësisë dhe rrjedhat rreth këtij pallati, për vendosjen e prokurorive në atë ndërtesë, “Objekti C”, për shkak të hapësirave të zyrave, u morë vendim që nga sistemi prokurorial të vendosen së pari Prokuroria Themelore e Prishtinës, Prokuroria e Apelit dhe Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave.

Gjithashtu, KPK vendosi që të kërkoj nga Presidentja e Republikës së Kosovës  shkarkimin e Kryeprokurorit aktual të Shtetit, z. Ismet Kabashi, për shkak se me datën 05 gusht 2014 mbush moshën e pensionimit sipas fuqisë ligjore.

Ndërsa, propozimi nga kryetari i Këshillit Prokurorial, z. Ismet Kabashi, që znj. Laura Pula, prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit të caktohet Ushtruese e Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të Ri, nuk u miratua nga anëtarët e Këshillit Prokurorial.  KPK vendosi që në mbledhjen e radhës me datën 29 korrik të diskutoj përsëri për caktimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës po ashtu me dyer të mbyllura diskutoi lidhur me propozimet e Komisionit për Emërim të prokuroreve për emërimin e 22 prokuroreve të rinj në Prokuroritë Themelore.