2388 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi shumëpalësh për bazën e të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje

Prishtinë, 14 mars 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka nënshkruar memorandumin shumëpalësh në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Policisë së Kosovës për funksionalizimin e  bazës së të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje.

Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi ka të bëjë me ofrimin e statistikave të përgjithshme nga sistemi i bazës së të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje nëpër të gjitha institucionet kompetente, kryerjen e analizave vjetore për rastet e dhunës në familje dhe marrjen në pronësi të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së plotë të sistemit të bazës së të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje.

Me këtë rast, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka theksuar se funksionalizimi i kësaj baze të të dhënave nënkupton për sistemin prokurorial një hap shtesë për ngritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, kurse prokurorët e shtetit do të angazhohen maksimalisht për të përmbushur të gjitha detyrat dhe obligimet që dalin nga ky memorandum.

Sa u përket të drejtave dhe detyrimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës që përshkruhen në memorandum, ato ndërlidhen me qasjen e prokurorëve të rastit në sistemin online, regjistrimin e shënimeve të prokurorisë për rastin, nga prokurori i rastit, regjistrimi i shërbimeve, përkatësisht, veprimeve që i ofron për rastin, ofrimin e mundësisë që të shohë në bazën e të dhënave veprimet zyrtare nga aktorët e tjerë dhe nxjerrjen e statistikave për shërbimet e ofruara.

Të gjithë palët nënshkruese u zotuan se do të angazhohen për luftimin e këtij fenomeni negativ shoqëror dhe do të kenë përkushtim të shtuar për avancimin e të drejtave respektive, zgjerimin dhe respektimin e tyre maksimal, duke potencuar se ky memorandum i nënshkruar ka rëndësi të veçantë dhe do të ndikojë në veprimet e duhura për luftimin e dhunës në familje dhe se shënon një ngjarje të rëndësishme për sundimin e ligjit.