238 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ALEKSANDËR LUMEZI PËRZGJIDHET PËR KRYEPROKUROR TË SHTETIT

 

Prishtinë, 6 qershor 2014 – Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial përzgjodhi për kryeprokuror të Shtetit, kryeprokurorin e deritanishëm të Prokurorisë së Apelit, z. Aleksandër Lumezi. Kryeprokurori i sapo zgjedhur Aleksandër Lumezi, mori katër vota, kundrejt kandidatit Shyqyri Syla i cili mori tri vota, ndërsa kandidati Jetish Maloku nuk mori asnjë votë.

Emri i Aleksandër Lumezit, do t’i dërgohet presidentes Atifete Jahjaga për dekretim. Në listën për kryeprokuror të Shtetit ishin, Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit, Shyqyri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Po ashtu, gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial, mori vendim për kompensimin e kujdestarisë, të prokurorëve dhe stafit mbështetës, për punën e tyre për zgjedhjet parlamentare më datë 8 qershor 2014.