2372 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Përmbyllet procesi i intervistimit të kandidatëve për prokurorë të shtetit

Prishtinë, 9 mars 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës ka përmbyllur fazën e  intervistimit të pesëdhjetë (50) kandidatëve në kuadër të procesit të rekrutimit të dhjetë (10) prokurorëve në nivel të prokurorive themelore, intervistim ky, i cili ka filluar më 25 shkurt 2019 dhe ka mbaruar më 8 mars 2019.
 
Komisioni për Rekrutim të Prokurorëve ka vlerësuar se interesimi i kandidatëve ishte në nivel të lartë, kurse gjatë zbatimit të procedurave janë respektuar plotësisht kriteret e parapara në Rregulloren nr. 07/2015 për rekrutimin, provimin, emërimin dhe riemërimin e prokurorëve të shtetit.
 
Në këtë proces të rëndësishëm për sistemin prokurorial janë realizuar të gjitha afatet ligjore të zhvillimit të procedurave rekrutuese gjatë mbajtjes së Testit Kualifikues, Testit me Shkrim dhe, së fundmi - Intervistës me Gojë, në të cilin janë zbatuar standardet e mirëfillta  profesionale, gjë që përbëjnë dhe rezultojnë me një proces të drejtë dhe transparent të vlerësimit të integritetit personal dhe aftësive profesionale të secilit kandidat.
 
Në fund duhet theksuar se ky proces është monitoruar në vijimësi nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe në Kosovë, të cilët mbështesin proceset e rekrutimit të prokurorëve të rinj në bazë të marrëveshjes që kanë me Këshillin, si dhe nga përfaqësuesit e BIRN-it.