2362 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve, në fokus të trajnimeve të fillimvitit

Prishtinë, 7 mars 2019 – Në kuadër të iniciativave të shtuara për zbatimin e Kodit të Etikës dhe hartimit të Komentarit të tij, Këshilli Prokurorial i Kosovës në bashkëpunim me KDI-në, Lëvizjen FOL, dhe organizatën holandeze, CILC, si dhe me anë të mbështetjes së Ambasadës holandeze në Kosovë, këtë fillimvit ka organizuar disa aktivitete trajnuese për hartimin dhe zbatimin e Kodit të Etikës dhe Komentarit, akte këto, të cilët janë shumë të rëndësishme për etikën dhe sjelljen profesionale të prokurorëve.

Pas hartimit dhe miratimit të Kodit të ri të Etikës dhe sjelljes profesionale të prokurorëve është vlerësuar e nevojshme që ky kod të shoqërohet për herë të parë edhe me Komentarin e tij, përmes të cilit do t’u jepen sqarime prokurorëve kosovarë për dilemat e ndryshme etike, me të cilat mund të ballafaqohen gjatë karrierës së tyre si prokurorë. Kështu, në këtë aspekt, ky projekt ka përfshirë tri trajnime për prokurorët e të gjitha prokurorive të Kosovës, me ç’rast prezantimet i kanë mbajtur ekspertet holandeze, Kitty Nooy, menaxhere e Programin Kombëtar të Integritetit në kuadër të Shërbimit Publik Prokurorial të Holandës dhe Heleen Smit, Koordinatore për Integritet në shërbimin holandez të Prokurorisë Publike.

Përveç të tjerave, rëndësia e Komentarit të Kodit të Etikës, për të cilin u zhvilluan këto trajnime, ka rëndësi të veçantë për sistemin prokurorial, ngaqë përmes shembujve të ndryshëm hipotetikë dhe ngritjes së pyetjeve dilemore, përshkruan edhe rrethana dhe situata nga më të ndryshmet, me të cilat mund të ballafaqohen prokurorët. Këta shembuj dhe përgjigjet që përmbajnë për situatat e ndryshme do t’u ndihmojnë prokurorëve për të vepruar në mënyrë të drejtë dhe të ndershme. 

Gjithashtu, vlen të përmendet se qëllimi parësor i këtyre trajnimeve ishte përcaktimi dhe shtjellimi i rregullave, parimeve dhe udhëzimeve për sjelljen e prokurorëve për të siguruar ushtrimin e funksioneve të tyre në mënyrë të pavarur, me paanshmëri, integritet, llogaridhënie, transparencë dhe profesionalizëm.

Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar për të mbështetur trajnimet e nevojshme, hartimin  dhe zbatimin e akteve të tilla, në mënyrë që prokurorët të fitojnë shkathtësitë praktike, me anë të të cilave do ta ruajnë integritetin e tyre profesional, në mënyrë që sistemi prokurorial të ketë integritet të pacenuar, i cili është bazë për sigurimin e respektimit të demokracisë dhe sundimit të së drejtës