236 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS, 30 MAJ 2014

Prishtinë, 30 maj 2014 – Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Këshilli Prokurorial mori vendim që fillimisht të caktohet  Ushtrues Detyre për këtë pozitë. Anëtarët e Këshillit morën vendim që Ushtruese e Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të caktohet znj. Sevdije Morina, e cila deri më tani ka qenë zv/kryeprokurore, në këtë Prokurori. 

Si pikë tjetër e rendit të ditës, ishte themelimi i grupit punues për hartimin e Rregullores për caktimin e procedurave dhe kritereve për emërimin e Kryeprokurorëve të Apelit, PSRK-së, dhe Prokurorive Themelore. Këshilli Prokurorial, mori vendim që Komisioni për akte normative i KPK-së, së bashku me perfaqesuesit e projektit te BE-së,  Ambasadës Amerikane dhe EULEX-it, ta hartojnë rregulloren për procedurat dhe kriteret për emërimin e kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit, PSRK-së, dhe Prokurorive Themelore.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial mori vendim që të rekomandohet lista prej 30 prokurorëve të EULEX-it,  për konfirmimin e emërimit të tyre nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, në pajtim me letër-këmbimin në mes të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së, si dhe ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës.