235 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS, 20 MAJ 2014

Prishtinë, 20 Maj 2014 – Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi. 

Gjatë këtij takimi Kryetari i Këshillit Prokurorial, z. Ismet Kabashi, njoftoi anëtarët e Këshillit lidhur me nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit mes Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe lehtësimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 8 Qershorit në Republikën e Kosovës. Kryetari Kabashi theksoi se qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është ngritja e bashkëpunimit dhe koordinimi në mes të PSH-së, KGJK-së, PK-së, KQZ-së, dhe PZAP-së, në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftimin me sukses, përfshirë parandalimin, e të gjithë atyre që bien në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi lidhur me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Po ashtu, kryetari Kabashi njoftoi anëtarët se Prokurori i Shtetit ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Institutin e Kosovës për Drejtësi, me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit ndërmjet Koordinatorit Nacional, organeve tjera të drejtësisë dhe IKD-së në lidhje me aktivitetet në luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit në zgjedhjet parlamentare 2014.

Pikë e rendit të ditës ishte edhe hedhja e shortit për renditjen e kandidatëve për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit për intervistim, sipas datave të caktuara. Kandidatët  do të intervistohen gjatë datave 28, 29 dhe 30 maj 2014.

Kandidati i parë për intervistim më datë 28 maj do të jetë z. Aleksandër Lumezi i pasuar nga kandidatja znj. Laura Pula dhe Agron Galani. Më datë 29 maj do të jenë kandidatët z. Shyqyri Syla, z. Ali Rexha dhe z. Sylë Hoxha. Kandidatët z. Jetish Maloku dhe z. Jusuf Mejzini do të intervistohen më datë 30 maj 2014.