2345 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Hyseni viziton Policinë e Kosovës

Prishtinë, 28 shkurt 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Bahri Hyseni, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të kabinetit të tij, ka zhvilluar një vizitë në Policinë e Kosovës, me ç’rast është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Rashit Qalaj.

Qëllimi  i vizitës së sotme të Kryesuesit Hyseni në Policinë e Kosovës ishte vazhdimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për ndërlidhjen e sistemeve elektronike dhe shkëmbimin e të dhënave në formë elektronike mes Këshillit Prokurorial dhe Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, Kryesuesi i Këshillit, z.Bahri Hyseni, ka thënë se ndërlidhja me këtë sistem elektronik të menaxhimit të lëndëve është një e arritur e madhe, në rastin konkret rezulton si një hallkë tejet e rëndësishme në relacionin mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, sepse është krijuar dhe po udhëhiqet një sistem elektronik i standardeve dhe vlerave të admirueshme.

Të dy bashkëbiseduesit u zotuan se do të bashkëpunojnë ngushtë për të zbatuar të gjitha aspektet e administrimit të resurseve për të pasur efikasitet dhe efektivitet në zbatimin e renditur dhe ligjit në Kosovë.