2341 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Integriteti kërkon vëmendje të vazhdueshme

Prishtinë, 27 shkurt 2019 - Në konferencën përmbyllëse të Projektit “Promovimi i integritetit në sistemin e drejtësisë të Kosovës”, i mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë, ekipi i projektit prezantoi informatat për aktivitetet dhe arritjet e tij.

Kryeprokurori i Shtetit, z.Aleksandër Lumezi, shprehu kënaqësinë e tij që projekti i cili u pat iniciuar pas konsultimeve intensive me Ambasadën e Holandës rezultoi me sukses të plotë. "Kemi Kodin e ri të Etikës për prokurorë, Komentarin i cili derivon nga po ky kod dhe modulet për një sërë trajnimesh të dizajnuara nga ekipi i trajnerëve holandezë. Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë bashkëpunimin me partnerët tanë të besueshëm në mënyrë që të avancojmë më tej efikasitetin, efektivitetin, si dhe transparencën e llogaridhënien”, ka thënë z.Lumezi.

Ambasadorja holandeze, Gerrie Willems, tha se të gjithë në këtë dhomë duhet ta kuptojnë se puna jonë nuk përfundon këtu. “Ky është vetëm hapi i parë”, theksoi ambasadori Willems, duke vazhduar se “pjesa më e rëndësishme dhe thelbësore e punës sonë na pret në të ardhmen - zbatimi i plotë i reformave tashmë të iniciuara. Vetëm në këtë mënyrë ju do të siguroni qëndrueshmëri të reformave dhe përmirësime konkrete në fushën e integritetit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, për të mirën tuaj si prokurorë, por edhe për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo do të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë’, ka potencuar z.Willems.

Z.Willem van Nieuëkerk, Drejtor i Qendrës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar – CILC, theksoi rëndësinë e integritetit në jetën tonë personale dhe performancën tonë në rrugën e karrierës profesionale. “Integriteti kërkon vëmendje të vazhdueshme", tha ai, duke vazhduar se “në punën tonë të përditshme përballemi me dilema morale dhe është pikërisht Kodi i etikës ai mekanizëm që siguron kornizë e zgjidhjes së këtyre dilemave. Me këtë projekt kemi sjellë përvojën e Prokurorisë së Holandës dhe bashkë me kolegët tanë kosovarë kemi hartuar Kodin e ri të etikës dhe Komentarin përkatës që ofron shembuj ilustrues nga puna e përditshme e prokurorëve. Shpresojmë që Prokuroria e Shtetit do të përdorë në mënyrë efektive Kodin e etikës, si mjet që ofron strehë të sigurt mbështetjeje për punën tuaj", përfundoi prezantimin e tij z.Van Nieuëkerk.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, z.Bahri Hyseni, përsëriti zotimin e z.Lumezi se Prokuroria e Shtetit në Kosovë do t’i mbajë gjithmonë dyert e hapura për partnerët që kanë vullnet të mirë për të na ndihmuar në përmirësimin e punës sonë. "KPK-ja ka punuar në Planin e ri strategjik, ku komponenti i ndërtimit të kapaciteteve përmes programeve të ndryshme të trajnimit për prokurorët dhe bashkëpunëtorët e tyre profesionalë përbën pjesën më të madhe të saj”, përmbylli prezantimin  e tij, z.Hyseni.

Ky projekt dyvjeçar që ofroi mbështetje teknike dhe ekspertizë për sistemin e drejtësisë u zbatua bashkërisht nga CILC, KDI dhe FOL. Aktiviteti i sotëm shënoi përmbylljen zyrtare të projektit pas zbatimit me sukses të një sërë aktivitetesh, duke filluar hulumtimi i plotë i integritetit në sistemit Kosovar të drejtësisë, përpilimin e Kodit të ri të etikës, Komentarin e kodit dhe një sërë trajnimesh për etikën, mediat dhe marrëdhëniet me publikun.