2339 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Diskutohet Ligji për ndërmjetësim dhe Kodi i drejtësisë për të mitur

Prishtinë, 27 shkurt 2019 - Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bashkëpunim dhe përmes Projektit të UNDP-së “Përmirësimi  i qasjes në reformën e drejtësisë dhe sundimin e ligjit”, i cili financohet nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, si dhe me mbështetje të UNICEF-it, ka organizuar një tryezë diskutimi me temën: “Ligji për ndërmjetësim dhe Kodi i drejtësisë për të mitur”, në të cilin morën pjesë prokurorë, gjyqtarë, personeli administrativ i Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe përfaqësues të UNDP-së dhe UNICEF-it.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte aplikimi i metodave alternative të ndërmjetësimit për zgjidhjen e rasteve në lëmin penale dhe civile nga Prokurori i Shtetit dhe Gjyqësori, në mënyrë që rastet të zgjidhen më shpejtë, të kenë kosto më të ulët të shpenzimeve dhe kryerësit të mos futen në evidencat e të dënuarve, respektivisht të mos ketë stigmatizim të tyre.

Në këtë tryezë, ndër të tjera, çështjet e trajtimit kryesor të risive të Ligjit për ndërmjetësim, përfshirë dhe nevojën për hartim të rregulloreve përkatëse, i ka prezantuar prokurori i Shtetit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë iniciativa të shtuara për organizimin e tryezave të tilla, të cilat do të realizohen edhe në të ardhmen në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë, me qëllim të diskutimit dhe lehtësimit të aplikimit të metodave të duhura ligjore, të cilat do të hyjnë në funksion të punës  së prokurorëve.