2337 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vlerësohet lart promovimi i integritetit në sistemin e drejtësisë në Kosovë

Prishtinë, 27 shkurt 2019 – Integriteti në punën e prokurorit dhe rëndësia e promovimit të tij në shoqërinë kosovare ishin në fokus të konferencës së sotme të përbashkët me rastin e përmbylljes së Projektit “Promovimi i integritetit në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, i cili është organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Lëvizja FOL dhe Qendra për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC) nga Holanda, me ç’rast morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të drejtësisë kosovare.

Me këtë rast pati vlerësime të larta nga të gjithë për promovimin e integritetit në sektorin e drejtësisë në Kosovë, i cili është bërë në kuadër të këtij projekti, por që do të zhvillohet edhe në të ardhmen me anë të aktiviteteve dhe veprimtarive të ndryshme, në mënyrë që të avancohet roli, misioni dhe vlerat e integritetit, llogaridhënies dhe transparencës publike në institucionet kosovare të drejtësisë.  

Në këtë kontekst, Kryesuesi i Këshillit, Bahri Hyseni, gjatë fjalës së tij, ka thënë se përparësia e sistemit prokurorial qëndron në orientimin tonë të duhur për zbatimin e instrumenteve adekuate ligjore dhe etike për promovimin e vërtetë të integritetit dhe për zhvillimin e tij në rrugën që kemi përpara, sepse integriteti ndërlidhet ngushtësisht me zbatimin e ligjit. “Në ketë aspekt kemi hartuar një mori dokumentesh të rëndësishme që mbështesim zbatimin praktik të integritetit, pavarësisë, paanshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies së prokurorëve, në të cilat kam marrë pjesë personalisht gjatë mandatit tim si Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, gjë që, në fakt, kemi krijuar mekanizma konkretë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, siç janë partnerët holandezë, për zbatimin e parimeve të drejtësisë në Kosovë”, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vënë theksin në rolin e madh shoqëror që ka promovimi dhe avancimi i integritetit profesional në institucionet e drejtësisë në Kosovë. “Ndjehem jashtëzakonisht i lumtur, ngaqë, dita-ditës vërehet se ka avancim dhe ngritje të mekanizmave të denjë për çështjet e zbatimit të ligjit në Kosovë, sepse respektimi i parimeve të tilla në procesin e vendimmarrjes tonë dhe dhënies së udhëzimeve të ligjshme është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm.

Nga ana tjetër, partnerët e pranishëm ndërkombëtarë dhe vendorë kanë vlerësuar lart qasjen dhe mënyrën e bashkëpunimit të institucioneve prokuroriale dhe gjyqësore në angazhimin e përbashkët për përmirësimin e perceptimit dhe krijimit të besimit në drejtësinë kosovare.

 Ky projekt është mbështetur financiarisht nga Ambasada e Holandës në Prishtinë, e cila ka sjell ekspertët holandezë në Kosovë, duke pasur synim ngritjen e nivelit të integritetit dhe fuqizimit të pavarësisë së Prokurorit të Shtetit dhe Gjyqësorit, me qëllim të ndërtimit të një sistemi të fuqishëm të drejtësisë dhe përmirësimit të besimit të publikut.

Konkretisht, për t’i forcuar kapacitetet e sektorit të drejtësisë në çështjet e integritetit janë përpiluar dhe miratuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës - Kodi i ri i Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë dhe është hartuar Komentari i këtij kodi, si dhe janë ofruar trajnime për prokurorë dhe bashkëpunëtorët e tyre profesionalë, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë Ligjin për përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.