233 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KPK-së

Prishtinë, 11 Prill 2014 – Është mbajtur takimi i gjashtëdhjetepestë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Gjatë këtij takimi u aprovua raporti i prokurorit Shqipdon Fazliu, njëherësh Koordinator Kombëtar për krime ekonomike, të paraqitur para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Po ashtu, koordinatori Fazliu, ka propozuar një plan për koordinim ndërmjet sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor, që është përkrahur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, me disa rekomandime të dala gjatë këtij takimi.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial ka aprovuar raportin e koordinatores nacionale për rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial, në luftimin e korrupsionit, Laura Pula, me disa rekomandime shtesë nga anëtarët e KPK-së. Ky raport përfshin periudhën kohore 04 nëntor 2013 deri më 31 mars 2014.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë pranuar edhe raportimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, lidhur me disa deklarime të tij të botuara në gazetën ditore “Kosova Sot”. Mes tjerash, anëtarët e KPK-së kanë kërkuar nga mediat të raportojnë drejtë dhe në mënyrë korrekte për punën dhe veprimet e KPK-së.

Po ashtu është aprovuar raporti i punës së Prokurorisë së Shtetit për vitin 2013. Vlen të theksohet se gjatë këtij takimi u bë themelimi i Panelit për shqyrtimin preliminar të aplikacioneve  të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Në panelin për shqyrtimin preliminar të aplikacioneve do të jenë: Prokurori nga Prokuroria e Apelit, Idain Ismailji, kryetar, Haxhi Dërguti nga Prokuroria e Apelit, anëtar, si dhe prokurorja nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Merita Bina - Rugova, anëtare.

 

Si pikë tjetër e rendit të ditës  ka qenë edhe themelimi i Komisionit për Ri-konsiderim për zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit. Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim që në përbërjen e këtij komisioni të jenë: Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, kryetar i komisionit, zv/kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Sevdije Morina, anëtare, si dhe, prokurorja nga Prokuroria e Apelit, Bedrije Syla-Alshiqi, anëtare.

Gjatë takimit, është bërë me dije se Ambasada Amerikane në Prishtinë ka përzgjedh dy prokurorë që të shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin ËakeForest, ËinstonSalem, Karolinë e Veriut, për programin Master. Të përzgjedhurit janë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Agron Qalaj si dhe prokurori nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Arian Gashi. Kandidatët kanë fituar të drejtën për  bursë, ngjashëm sikur edhe kandidatët e vitit të kaluar. KPK-ja aprovoi shkuarjen e tyre në SHBA, për programin Master.

Ndërsa, KPK-ja nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit të shtetit Rexhep Kabashi për vazhdimin e mandatit të tij, për shkak se ai ka mbushur moshën e pensionimit. Por, sa i përket kërkesës të Sindikatës të Prokurorive rreth modifikimit-korigjimit, si dhe ngritjen e koeficienteve për të gjithë stafin e Prokurorive të Kosovës, Këshilli obligoi Komisionin për Buxhet dhe Financa të shqyrtojë këtë çështje për harmonizim të koeficienteve të stafit mbështetës me Këshillin Gjyqësor.

Këshilli Prokurorial ka marrë vendim për realizimin e planit të trajnimit për përdorimin e kompjuterit dhe aftësimin për të shkruar, sipas planit të aprovuar në kuadër të projektit TIK/SMIL. Po ashtu, kanë kërkuar prej të gjithë kryeprokurorëve që të marrin të gjitha masat t’u mundësojnë të gjithë zyrtarëve që të trajnohen për këtë dhe zyrtarët të cilët nuk trajnohen që ta ushtrojnë, zbatojnë planin e TIK/SMIL të shkojnë në pozita ku nuk është e nevojshme të praktikojnë këtë plan.

Në fund të takimit është aprovuar edhe kërkesa për ndarjen e mjeteve nga buxheti i Këshillit Prokurorial për anëtarësim në Shoqatën Botërore të Prokurorive, e cila kushton 300 dollarë në vit.