2313 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vlerësohet mbështetja e BE-së për ngritjen e kapaciteteve kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit

Prishtinë, 14 shkurt 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, është takuar me ekspertët e Projektit të BE-së: “Mbështetje e mëtejshme për institucionet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, Ian McDonald dhe David Mattan.
 
Me këtë rast, Kryesuesi Hyseni ka falënderuar ekspertët e projektit, McDonald dhe Mattan, duke vlerësuar lart mbështetjen e pakursyer të vendeve të BE-së për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme të sistemit prokurorial në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
 
Gjatë takimit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial ka diskutuar me ekspertët evropianë detajet e planit të trajnimeve për zbatimin e Ligjit për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit, plan ky, i cili do të fokusohet në trajnimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe hetuesve, në mënyrë që ata të kenë informata dhe të kuptojnë në mënyrë më të plotë zbatimin e këtij ligji. “Trajnimi për zbatimin e këtij ligji të rëndësishëm është ngritje e kapaciteteve dhe shkathtësive praktike të prokurorëve tanë dhe do të ndikojë pozitivisht në aplikimin e praktikave më të mira dhe me cilësi të lartë gjatë hetimit dhe ndjekjes së kryesve të veprave penale, me ç’rast do të ketë më shumë profesionalizëm, përkushtim, efikasitet dhe respektim të zbatimit të standardeve profesionale për aplikimin e procedurave për konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Kryesuesi i Këshillit, Bahri Hyseni.
 
Sipas planifikimeve të përbashkëta, plani i trajnimeve është ndarë në tri faza, e cila përfshin fazën e parë që përbëhet nga trajnimet hyrëse njëditore për prokurorë dhe gjyqtarë të të gjitha prokurorive dhe gjykatave themelore në shtatë rajonet e Kosovës. Kurse, faza e dytë do të jetë shumë më e specializuar dhe më e detajuar, me ç’rast do të fokusohet në çështjet e krimeve të rënda, ndërsa në fazën e fundit do të ofrohen këshilla specifike për prokurorët e rasteve të caktuara gjatë përdorimit të këtij ligji.
 
Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan që ky plan trajnimi të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Drejtësisë për të siguruar vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e tij në të ardhmen, me ç’rast do të dërgohen trajnues nga Akademia, të cilët do të jenë të pranishëm në të gjitha trajnimet e parapara.