2310 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi i KPK-së dhe Kryeprokurori i Shtetit vizituan Prokurorinë Themelore në Mitrovicë

Mitrovicë-Prishtinë 13 shkurt 2019 – Në vazhdën e vizitave të punës nëpër prokuroritë e vendit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, së bashku me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, kanë qëndruar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, me ç’rast janë takuar me kryeprokurorin Shyqyri Syla dhe prokurorët e kësaj prokurorie. 

Fillimisht, dy krerët e lartë të sistemit prokurorial janë njoftuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të arriturat dhe sfidat e këtij institucioni, me të cilat është ballafaquar në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve të përcaktuara ligjore.

Në vijim të takimit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka thënë se nevojitet angazhim i shtuar për rritjen e profesionalizmit, llogaridhënies dhe transparencës së prokurorëve. “KPK-ja dhe unë personalisht do të jemi në shërbim të plotë për t’i plotësuar nevojat dhe objektivat e parashtruara nga Prokurori i Shtetit, por edhe do të kërkojmë përgjegjësi nga secili prej jush dhe do të përcjellim nga afër punën tuaj përmes komisioneve të përhershme të KPK-së”, ka thënë me këtë rast Kryesuesi Hyseni para prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës. 

Në këtë rrjedhë, kreu i Këshillit ka diskutuar para të pranishmëve për intensifikimin dhe respektimin e procedurave për sistemin e ri të disiplinimit të prokurorëve, procedurat e ndërmjetësimit dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, zbatimin e Kodit të etikës për sjelljen e prokurorëve, si dhe rëndësinë e furnizimit me të dhëna të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL).

Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vlerësuar punën e deritashme të prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë në luftimin e veprave të ndryshme kriminale, me ç’rast ka kërkuar angazhim dhe efikasitet të mëtejshëm për trajtimin dhe luftimin e rasteve, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin, kontrabandën, tregtinë e kundërligjshme dhe veprave të tjera.Ndër të tjera, kreu i Prokurorisë së Shtetit, ka kërkuar që në kuadër të ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale, krahas hetimeve penale, prokurorët duhet të zhvillojnë edhe hetime financiare, në mënyrë që të kërkohet sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë, e cila mund të jetë fituar me vepra penale. Gjithashtu, Kryeprokurori Lumezi, ka thënë se Prokuroria Themelore në Mitrovicë përbën një shembull të mirë të funksionimit dhe bashkëpunimit shumetnik, ndërnjerëzor dhe ndërkolegial, vlera këto, që duhet të kultivohen edhe në të ardhmen në sistemin prokurorial të Kosovës.

Në fund, Kryesuesi i KPK-së dhe Kryeprokurori i Shtetit i kanë dhënë përkrahje për proceset e reja kryeprokurorit dhe prokurorëve të kësaj prokurorie për kryerjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, si dhe për përmirësimin e kushteve të tyre të punës.

Takimet e tilla të krerëve të sistemit prokurorial do të vazhdojnë edhe në prokuroritë e tjera të vendit.