2302 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi i KPK-së priti shefen e Sektorit për Sundim të Ligjit të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar

Prishtinë, 11 shkurt 2019 -  Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka pritur në takim shefen e Sektorit të Sundimit të Ligjit të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Jennifer Blakeney.

Kryesuesi fillimisht ka falënderuar përfaqësuesen e Sektorit të Sundimit të Ligjit të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për vizitën, duke thënë se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po i jep mbështetje të vazhdueshme sistemit prokurorial të Kosovës, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e lartë të tij për të vazhduar bashkëpunimin reciprok në fuqizimin dhe avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Z.Hyseni dhe znj. Blakeney kanë diskutuar me këtë rast për vazhdimin e bashkëpunimit për zbatimin e Projektit “Fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”, të cilin e menaxhon Ambasada e së Mbretërisë së Bashkuar përmes implementuesit “Axiom International”, projekt ky, i cili parashihet të zgjasë deri në mars të vitit 2020.

Znj.Blakeney ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur për fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në përfundim të takimit, dy bashkëbiseduesit shprehën zotimin, vullnetin dhe përkushtimin e tyre për të vazhduar zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm, por edhe projekteve të tjera të përbashkëta në të ardhmen.