2299 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Hyseni qëndron për vizitë zyrtare në Itali

Bolzano/Prishtinë, 7 janar 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kryeprokurorë, anëtarë të KPK-së dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë duke qëndruar në një vizitë në provincën e Bolzanos në Itali, vizitë kjo, e cila mbështetet nga Projekti i Binjakëzimit të BE-së për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite, kryesuesi Hyseni dhe anëtarët e tjerë kanë diskutuar me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë në provincën e Bolzanos për zgjidhjet e rasteve, përvojat, modelet e mbrojtjes së pakicave, aktiviteteve e kryera gjatë shqyrtimit dhe krahasimit të realitetit italian dhe kosovar në rastet e mbrojtjes së minoriteteve dhe mbrojtjes së komponentëve të ndryshme gjuhësore në sistemin ligjor italian.

Ndërkohë, përfaqësuesit e sistemit prokurorial dhe gjyqësor janë pritur nga kryetari i Gjykatës së Bolzanos, Vesco Elsa, me ç’rast kanë biseduar për përdorimin e gjuhëve të pakicave në procedurat penale dhe praktikat e mira të respektimit të pakicave në përdorimin e tyre, mbrojtjen e komponentëve të ndryshëm gjuhësorë në prokurori dhe gjyqësor, procedurat për qasje në gjyqësi, marrëdhëniet midis përkatësive minoritare dhe disiplinën e emërimit të drejtuesve dhe zëvendësdrejtuesve, marrëdhëniet ndërmjet mbrojtjes së minoriteteve dhe avancimit në karrierë, marrëdhëniet midis mbrojtjes së pakicave dhe sistemit disiplinor në drejtësi.

Gjithashtu delegacioni kosovar ka vizituar edhe Tribunalin e Bolzanos, ku nga afër kanë parë mënyrën e funksionimit të tij.  

Projekti i Binjakëzimit të BE-së për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial zbatohet në partneritet në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Zyrës së Prokurorisë Speciale dhe Këshillit të Lartë italian të Gjyqësorit, Ministrisë italiane të Drejtësisë, Këshillit të Lartë francez të Gjyqësorit dhe Ministrisë Franceze të Drejtësisë. 

​