2296 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Fjalimi i Kryesuesit të KPK-së, Bahri Hyseni, në Konferencën vjetore të Prokurorëve

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju drejtohem sot në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, të cilën e konsideroj si një ndër ditët më të veçanta të sistemit prokurorial. Kjo është një ditë dhe moment reflektimi për punën tonë njëvjeçare, një moment vlerësimi për punën e palodhshme dhe sukseset e arritura, përkundër sfidave që patëm para nesh.
 
Niveli i demokracisë së një vendi varet nga niveli i sundimit të rendit dhe ligjit. Kjo e bën edhe më të veçantë punën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, pra e bën më të vështirë dhe sfiduese punën tonë, por në të njëjtën kohë e bën edhe më të rëndësishme.
 
Sistemi prokurorial në Kosovë ka bërë viteve të fundit një varg reformash, rezultatet pozitive të të cilave janë të dukshme. Është përmbushur legjislacioni sekondar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, bazuar në Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, është kompletuar numri i prokurorëve sipas vlerësimeve për nevojat aktuale, është rritur numri i stafit mbështetës në prokurori, është rritur buxheti, janë hartuar dhe zbatuar strategji, plane pune dhe dokumente të tjera të politikave për funksionimin e sistemit prokurorial. 
 
Këshilli Prokurorial i Kosovës, me qëllim të zbatimit të mandatit të tij do të fokusohet në:
 
-         përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit të administrimit;
-         rishikimin e pakos së akteve nënligjore të Këshillit dhe rolit proaktiv në procesin e rishikimit funksional të sektorit të drejtësisë;
-         mbikëqyrjen sistematike të punës së prokurorëve dhe prokurorive në funksion të fuqizimit të integritetit dhe llogaridhënies;
-         avancimin e sistemit të rekrutimit, transferimit dhe avancimit të prokurorëve dhe personelit administrativ;
-         fuqizimin e mëtejmë të sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve;
-         konsolidimi i sistemit të ri të disiplinimit për prokurorë;
-         rritjen e transparencës dhe bashkëpunimit,
-         ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe shkathtësive praktike të prokurorëve dhe personelit.
 
Këshilli do të aktivizojë dhe përdorë të gjithë mekanizmat e brendshëm për të rritur llogaridhënien dhe integritetin në sistemin prokurorial. Tashmë kemi një ligj të ri për përgjegjësinë disiplinore, i cili kërkon ndërmarrjen e masave të reja dhe do të jemi të pakompromis në funksion të zbatimit të këtij ligji.
 
Këshilli Prokurorial i Kosovës do të angazhohet maksimalisht për ofrimin e sigurisë më të madhe në mbrojtjen e prokurorëve dhe stafit mbështetës, prandaj në këtë drejtim do të jemi në përballje me të gjithë ata që ndërmarrin sulme me qëllim të denigrimit dhe cenimit të integritetit dhe pavarësisë së sistemit prokurorial. 
 
Të nderuar prokurorë,
 
Angazhimi juaj ka bërë që të gjitha raportet dhe statistikat të tregojnë për efikasitet shumë të lartë të punës. Por, a është krejt kjo ajo çka duam ne? A është kjo, ajo që qytetarët e Kosovës e dëshirojnë? A është kjo ajo që miqtë tanë ndërkombëtarë besojnë se puna jonë  përmbush standardet më të larta? Dhe krejt në fund, a është kjo e mjaftueshme për të garantuar sundimin e rendit dhe ligjit si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut?
 
E di që të gjithë ne duhet të pajtohemi se përkundër rezultateve të larta të treguara në punën tonë, rruga jonë përpara kërkon ende angazhim, sakrificë dhe përkushtim. Kemi arritur në pikën kur efikasitetin duhet ta shohim në pikëpamje cilësore, prandaj orientimi ynë do të jetë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, përkushtimin maksimal, si dhe në respektin më të madh për punën, funksionin që ushtrojmë dhe misionin tonë të shenjtë.
 
Mandati ynë formal buron nga Kushtetuta dhe ligji, por mandati ynë i vërtetë buron nga e drejta e qytetarëve për të jetuar në një shtet ku  ka drejtësi. Këto vlera në funksionin tonë na obligojnë për transparencë dhe bashkëpunim më të afërt me qytetarët, shoqërinë civile, mediat, andaj i ftoj të gjithë që të vihen në funksion të zbatimit të rendit dhe ligjit, në mbështetje të institucioneve të drejtësisë, duke kryer mandatin e tyre me korrektësi dhe në funksion të një jete më të mirë për të gjithë qytetarët, madje-madje, edhe duke na kritikuar në mënyrë konstruktive, sepse në fund të fundit, kjo na bën të gjithëve më të mirë.
 
Në këtë aspekt, ne jemi në proces të avancimit të imazhit publik të Prokurorit të Shtetit, me qëllim të rritjes së besimit para qytetarëve, qe të sigurohemi që paraqitja e punës publike e Prokurorit të Shtetit të jetë sipas standardeve më të larta. Në ketë drejtim, deri më tani me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe vendorë, si një ndër shembujt e shumtë është edhe projekti i zbatuar nga “Internews Kosova”, i cili ka realizuar dhe vazhdon  të realizojë trajnime për të pasur paraqitjen e duhur publike, e cila do të ndikojë në rritjen e transparencës dhe besimit të publikut në punën e Prokurorit të Shtetit.
 
Në fund, dua të falënderoj në mënyrë të veçantë partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë, të cilët po japin kontribut të madh në fuqizimin e rolit tonë. Në raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare janë vënë në pah rezultatet e sistemit prokurorial por edhe pikat e dobëta dhe janë dhënë rekomandime të rëndësishme. Ne i kemi marrë mjaft seriozisht këto rekomandime dhe  synojmë që t’i realizojmë bashkë me Ju, ngaqë me Ju dhe përmes mbështetjes Tuaj  do të arrijmë standardet më të larta në misionin tonë drejt integrimit në familjen evropiane. 
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk do të jetë vetëm administrues i sistemit prokurorial, por do të jetë partneri kryesor i prokurorëve në punën e tyre, do të jetë zëri i fuqishëm në mbrojtje të vlerave të ndërtuara me vite dhe do t’i mbështesë ata në rrugën e gjatë të drejtësisë dhe mbrojtjes së vlerave njerëzore.
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Në Kosovë duhet të sundojë paqja dhe drejtësia, si dy anë të së njëjtës medalje, dhe ne me punën dhe rolin tonë do të bëjmë çmos që drejtësia të garantojë edhe paqen.
 
Ju dëshiroj punë të mbarë në këtë konferencë dhe suksese të mëtejshme në punën tuaj!
 
Faleminderit!