229 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 20 Mars 2014  - Është mbajtur takimi i gjashtëdhjetetretë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Në takimin e mbajtur të Këshillit Prokurorial janë shqyrtuar dhe aprovuar raportet mbi punën e Prokurorive Themelore të Gjilanit dhe të Prizrenit, për vitin 2013–të. Raporti i punës  një vjeçare të prokurorive u vlerësua lartë nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ndërkaq, pika tjetër e rendit të ditës që u shqyrtua dhe u aprovua ishte edhe propozimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa të KPK-së për shkurtimin e 15 % sipas kërkesës së Ministrisë së Financave për harmonizimin e koeficienteve të pagave për Menaxherët e Zyrave, Administratorët dhe Mbikëqyrësit e Shkrimoreve.

 

Po ashtu, gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial shqyrtuan dhe aprovuan raportin e punës së KPK-së për vitin 2013. Anëtarët e Këshillit Prokurorial aprovuan propozimin që Kuvendit të Kosovës, t’i propozohet Prokurori nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Elez Blakaj, për anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Ndërsa, pika tjetër e rendit të ditës që u shqyrtua dhe u aprovua ishe kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, për lejimin e ligjërimit në Universitetin Publik të Gjilanit.

Gjatë këtij takimi u themelua komisioni për shpërndarjen/caktimin e 25 pozitave të reja të lejuara me buxhetin e vitit 2014 për prokurorë dhe 45 pozitave për punonjës mbështetës. Kryetare e Komisionit  do të jetë zv/kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale, Sevdije Morina, ndërkaq anëtarët e komisionit do të jenë: Shkëlzen Maliqi, drejtor i Përgjithshëm i Prokurorisë së Shtetit, Idain Smailji prokuror nga prokuroria e Apelit, Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, si dhe, Besim Kusari nga Njësiti për Vlerësimit e Performancës së prokurorëve.

Këshilli Prokurorial aprovoi raportin e kryetarit të Komisionit për procesin e rekrutimit për 22 pozitat e shpallura për prokurorë të prokurorive themelore, si dhe kërkoi nga Komisioni që ta informojnë Kryeprokurorin e Shtetit për institucionet  të cilat  nuk u janë përgjigjë kërkesave për dërgimin e informatave për kandidatët për prokurorë. Po ashtu, KPK-ja kërkoi nga Kryeprokurori i Shtetit të intervenojë tek institucionet përkatëse që informatat e kërkuara t’i dërgojnë menjëherë tek KPK-ja.

Ndërkaq, për propozimin e Sekretariatit për lejimin e kompensimit të kujdestarive nga referentët e prokurorive, gjatë të shtunave dhe të dielave, Këshilli Prokurorial propozoi që Komisioni për buxhet dhe financa të hartojë një propozim konkret lidhur me të gjitha kompensimet sa i përket kujdestarisë.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial aprovuan propozimin që të plotësohet vendimi i KPK-së që prokurorët e angazhuar për mbajtjen e trajnimeve për prokurorë lidhur me të metat e konstatuara në anketë të kompensohen sikurse kompensohen në bazë të vendimit të KPK-së anëtarët e grupit punues për marrjen pjesë në grupe punuese të caktuara nga KPK-ja.

Ndërsa, në fund të takimit u morë vendim që takimet e rregullta të Këshillit Prokurorial të mbahen  çdo të dytën të premte, pra, të premten e parë dhe të tretë të muajit, me mundësinë që Këshilli Prokurorial të caktojë edhe mbledhje tjera jashtë këtyre orareve.