228 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

MBAHET TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 25 shkurt 2014 –  Është mbajtur takimi i gjashtëdhjetedytë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Gjatë këtij takimi u shqyrtua  dhe u miratua raporti i punës për vitin 2013, i Prokurorive Themelore në Prishtinë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, si dhe i Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Raportimi i punës  një vjeçare të prokurorive u vlerësua lartë nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, pavarësisht mungesës së prokurorëve, stafit mbështetës, si dhe mungesës së hapësirave dhe objekteve në disa prokurori.

 

Po ashtu, në këtë takim u shqyrtua dhe u miratua raporti i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, lidhur me zbatimin e planit të veprimit për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial, në luftimin e korrupsionit, si dhe për verifikimin dhe mbikëqyrjen e të dhënave të futura në mekanizmin përcjellës. Ky raport u miratua me disa rekomandime të prezantuara nga Komisioni për mbikëqyrjen dhe verifikimin e të dhënave, si dhe, nga rekomandimi i Kryeprokurorit të Shtetit z. Ismet Kabashi, se nëse, në të gjitha ato prokurori ku janë konstatuar mungesa, dhe ato mungesa mund t’i atribuohen neglizhencës, apo mos vullnetit të punëtorëve të prokurorive t’i zbatojnë vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës që të fillojnë procedurat disiplinore ndaj tyre, në të kundërtën KPK do të fillojë procedura disiplinore ndaj Kryeprokurorëve.

 

Ndërkaq, në këtë takim  u bë shqyrtimi dhe miratimi i Anketës së Prokurorëve të Kosovës për vitin 2013. Në bazë të kësaj ankete, Kryprokurori Kabashi, caktoi Prokurorin Jusuf Mejzini nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Aleksandër Lumezin nga Prokuroria e Apelit, të hartojnë një program trajnimesh në bazë të këtij raporti për secilin prokuror.

 

Trajnimet duhet të mbahen duke filluar nga pjesa e parë e marsit, për çdo të shtunë në  të gjitha Prokuroritë Themelore dhe Prokurorinë e Apelit  të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij takimi, po ashtu u bë shqyrtimi dhe miratimi i Planit të punës të fazës përgatitore (PROJEKTI I TIK/SMIL).

 

Po ashtu, u themelua grupi punues lidhur me zbatimin e obligimeve që dalin nga miratimi i planit të punës dhe Memorandumi i Mirëkuptimit, të nënshkruar në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës Norvegjeze. Në këtë grup punues do të jenë: Shkëlzen Maliqi, Drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Naser Hasani, Menaxher i Zyrës për analiza dhe hulumtime, në Njësitin e Performancës së Prokurorëve dhe Sahit Shala, Menaxher i Zyrës për analiza dhe hulumtime.

Vlen të theksohet se gjatë këtij takimi u shqyrtua dhe u miratua plani vjetor i punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2014 me tri rekomandime; rishikimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, bartja e kompetencave  nga EULEX-i si dhe dhënia e udhëzimeve administrative nga ana  e Këshillit Prokurorial për zbatimin e dispozitave të Kodit të procedurës penale.

 

Ndërsa, pas shqyrtimit të kërkesës nga Forumi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Kosovës drejtuar KPK-së, Forumi mori përkrahjen e KPK-së në të gjitha çështjet e nevojshme.

 

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit për caktimin e dy referentëve për punë jashtë orarit. Këshilli Prokurorial mori vendim që kjo çështje të rregullohet në mënyrë unike për gjithë sistemin prokurorial, dhe në mbledhjen e ardhshme Sekretariati ta përgatitë një dokument për mënyrën e kompensimit apo organizimit  si do të zbatojnë këtë detyrë.

 

Ndërsa në fund u aprovua kërkesa e prokurores Mehreme Hoxha, nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për angazhim në mësimdhënie jashtë orarit të punës, në Universitetin “Ukshin Hoti”, Fakulteti Juridik, në Prizren.