2270 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i 161-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 28 janar 2019 – Në takimin e 161-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilën e ka udhëhequr Kryesuesi i sapozgjedhur i KPK-së, Bahri Hyseni, kanë marrë pjesë anëtarët e KPK-së, me ç’rast janë marrë një mori vendimesh sipas pikave të parapara në rendin e ditës.

Që në fillim të takimit të sotëm, kryesuesi Bahri Hyseni, ka falënderuar ish-kryesuesin e KPK-së, Blerim Isufaj, për angazhimin dhe kontributin e tij trevjeçar në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërkaq në vijim është miratuar Plani i Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2019, pjesë të të cilit kanë prezantuar kryesuesi Hyseni, anëtari i KPK-së, Zejnullah Gashi, drejtori i SKPK-së, Lavdim Krasniqi dhe drejtori i NJSHPP-së, Valon Jupa.

Plani i punës për vitin 2019 është hartuar në bazë të objektivave të rëndësishme dhe unike, të cilat janë specifike, të matshme dhe të arritshme, si dhe përfshijnë edhe objektivat dhe aktivitetet e Sekretariatit të Këshillit dhe Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë”, ka thënë me këtë rast i pari i KPK-së, Hyseni.  

Po ashtu gjatë takimit është marrë vendim që Komisioni për Çështje Normative dhe Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel të plotësohen me anëtarë të nevojshëm dhe është avancuar një prokurore nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Pejë, si dhe është marrë vendim për shpalljen e konkursit për plotësimin e pozitave për prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Prokurorinë e Apelit.  

Pas diskutimeve, Këshilli miratoi edhe vendimin për caktimin e udhëheqësve të tre departamenteve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë: Departamentit për Krime të Rënda, Departamentit për të Mitur dhe Departamentit të Përgjithshëm.

Në fund të takimit u krijua Grupi punues për hartimin e akteve nënligjore bazuar në Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili do të bashkëpunojë me Grupin punues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe është marrë vendim për krijimin e Grupi punues për hartimin e draftrregullores për procedurat e referimit të rasteve nga prokuroria në procedurën e ndërmjetësimit, e cila është përcaktuar në Ligjin për ndërmjetësim, i cili ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2018.