227 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U MBAJT TAKIMI I RADHËS SË ANËTARËVE TË KPK-së

Prishtinë, 24 janar 2014 – U mbajt takimi i gjashtëdhjetenjë i anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Në këtë takim u diskutua për caktimin e procedurave dhe kritereve për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Lidhur me këtë çështje u vendos që të themelohet një grup punues me ekspertë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, USAID-i, EULEX-i dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët do të bëjnë hartimin e Rregullores për procedurat dhe emërimin e kryeprokurorit të Shtetit. Gjithashtu u vendos që KPK të kërkoj nga ky grup punues që të konsultohet me shoqërinë civile gjatë hartimit të kësaj rregulloreje, e cila do të duhet të jetë e gatshme më 1 mars të këtij viti, për t’iu dorëzuar anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shqyrtim.

Po ashtu anëtarët e KPK-së vendosën që ta ftojnë EULEX-in, që ta monitoroj procedurën e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, që nga momenti i fillimit të hartimit të rregullores, deri në momentin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjatë këtij takimi u shqyrtua dhe aprovua edhe vendimi për caktimin e regjistrave dhe librave për evidentimin e lëndëve të Prokurorit të Shtetit. Ndërkaq, me aprovimin e rregullores për organizimin e brendshëm të prokurorive do të jepen përshkrime dhe detaje, se si dhe cilat lëndë  do të regjistrohen në cilin regjistër.

Në këtë takim u themelua edhe grupi punues, për hartimin e planit vjetor të punës së KPK-së për vitin 2014 në përbërje të: Kujtim Kërveshit, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në KPK, Sylë Hoxhës, kryetar i Komisionit për Akte Normative në KPK dhe Ehat Miftarajt, drejtori i Njësitit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve dhe Prokurorive.

Poashtu në këtë takim u themelua edhe grupi punues për hartimin e raportit vjetor të punës së KPK-së për vitin 2013, në përbërje të: Ehat Miftaraj, Naser Hasni, Sahit Shala, dhe Shkëlzen Maliqi.

Gjatë këtij takimi ndër të tjera u shqyrtua dhe aprovua edhe raporti për realizimin e buxhetit të Prokurorit të Shtetit për vitin 2013.

Në fund të takimit anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, shqyrtuan dhe aprovuan kërkesat për dorëheqje nga pozita e prokurorit të prokurorëve Vlora Banusha, nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe Arben Ramadani, nga Prokuroria Themelore në Prizren. Të dy prokurorët kanë parashtruar dorëheqje nga pozita e prokurorit për arsye familjare.