2265 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për zbatimin e Ligjit për ndërmjetësim

Prishtinë, 23 janar 2019 – Përmirësimi i qasjes në drejtësi dhe zbatimi konkret i reformës së sundimit të ligjit ishte motoja e veçantë e takimit të sotëm me theks në zbatimin e Ligjit për ndërmjetësim nr.06\L-009, eveniment ky, të cilën e kanë organizuar UNDP-ja dhe Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, në të cilën morën pjesë kryesuesit e dy Këshillave – atij Prokurorial, Bahri Hyseni dhe Gjyqësor, Nehat Idrizi, Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, Ambasadori i Norvegjisë, Strandt Sjaastad, kryeprokurorë, kryetarë gjykatash, prokurorë dhe përfaqësues administrativë të sistemit të drejtësisë.

Ky panel i gjerë pjesëmarrësish diskutoi për sfidat që paraqiten gjatë zbatimit të ligjit për ndërmjetësim, ndryshimet kryesore në këtë ligj, risitë dhe nevojat, pastaj procedurat e ndërmjetësimit në kodin e drejtësisë për të mitur dhe aktet nënligjore që mbështesin zbatimin efektiv të tij, ku u zhvilluan edhe diskutime të hapura.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka diskutuar për procedurën e ndërmjetësimit, duke përmendur lehtësirat e mëdha që vijnë përgjatë zbatimit të këtij ligji, siç janë ekonomizimi i shpenzimeve gjyqësore dhe prokuroriale dhe shmangia nga procedurat e stërzgjatura. Ky ligj kontribuon në mënyrë domethënëse në përmirësimin e qasjes në drejtësi, rrit efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe krijon mbrojtje më të mirë të të drejtave të njeriut, duke krijuar shpenzime të vogla dhe duke ekonomizuar të gjitha shërbimet. Ne jemi të obliguar që brenda afateve ligjore të nxjerrin aktet nënligjore, me të cilit parashihen detyrimet e prokurorëve të shtetit për të informuar dhe udhëzuar palët për procedurën e ndërmjetësimit dhe për të rregulluar mënyrën e referimit në rastet penale në procedurë alternative të ndërmjetësimit, ka thënë Bahri Hyseni.     

Një referues tjetër në këtë takim ishte edhe Prokurori i Shtetit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, i cili ka folur për risitë ligjore në ndërmjetësim, duke prezantuar një ekspoze profesional për zbatimin e afateve për caktimin e referentëve të ndërmjetësimit në prokuroritë themelore, mënyrën e referimit, afatet e deklarimit të palëve për të hyrë në procedurën e ndërmjetësimit dhe për shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë ligj.   

Në përfundim të këtij takimi kishte pajtim të përbashkët se përkushtimi dhe angazhimi për zbatimin e këtij ligji do të jetë në nivelin e duhur, sepse përbën sukses të dalluar në rrugën e sfidave të ndryshme kohore.