226 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U MBAJT TAKIMI I RADHËS I ANËTARËVE TË KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

27 Dhjetor 2013 Prishtinë – U mbajt takimi i gjashtëdhjetë i anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Gjatë mbledhjes  së Këshillit Prokurorial të Kosovës, u bë shqyrtimi dhe aprovimi i Rregullores për themelimin dhe funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtarë me qëllim të rritjes së efikasitetit në ndjekjen e kryesve të veprave penale, sekuestrimin dhe konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka emëruar koordinator kombëtarë për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu, nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Ndërkaq, gjatë  kësaj mbledhje u bë shqyrtimi dhe aprovimi i planit vjetor të punës së Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive.

Në këtë takim, Këshilli Prokurorial i Kosovës, shqyrtoi dhe aprovoi Memorandum Bashkëpunimin mes KPK-së dhe IKD-së, lidhur me planin e veprimit për ngritjen e efikasitetit të KPK-së në luftimin e veprave penale të korrupsionit. Ky memorandum do të hyj në fuqi nga dita e nënshkrimit dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor të vitit 2014.

Vlen të theksohet, se gjatë kësaj mbledhje u bë shqyrtimi  si dhe aprovimi i propozimit për marrjen e vendimit për shtyrjen e afatit, lidhur me konkursin e shpallur për prokurorë, edhe për 8 ditë shtesë, dhe njohja se të gjithë kandidatët që kanë marrë më tepër se 60% të pikëve në provimin përgatitor në IGJK të konsiderohen se plotësojnë kriterin ligjor.

Këshilli Prokurorial i Kosovës,  vendosi që provimin hyrës për prokurorë e kanë dhënë të gjithë kandidatët që kanë marrë mbi 60% të pikëve nga pikët e mundshme në provimin e organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, dhe të shpallet konkurs plotësues, me afat kohëzgjatje prej tetë ditësh nga dita e shpalljes.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, obligon kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe Zëvendës Kryeprokuroren e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që deri më 15 janar 2014 të raportojnë me shkrim  dhe prezantim para anëtarëve të KPK-së lidhur me zbatimin e Planit të veprimit për ngritjen e efikasitetit të KPK-së në luftimin e veprave penale të korrupsionit.

Po ashtu, KPK obligon kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe Zëvendës Kryeprokuroren e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që deri më 31 janar 2014, të paraqesin raportin me shkrim për punën vjetore të prokurorive që ata udhëheqin. Raporti duhet të përfshijë: raportin statistikor, narrativ, të dhënat për buxhetin, burimet njerëzore, të arriturat, pengesat dhe sfidat gjatë vitit 2013.

Gjatë mbledhjes u njoftuan anëtarët e KPK-së, lidhur me projektet për ndërtimin e objekteve të prokurorive, në Pejë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë.

Anëtarët e KPK-së, vlerësuan se për këtë çështje duhet të kërkohet nga Ministria e Administratës Publike, që në bazë të dispozitave ligjore të mos tolerojë asnjë lëshim të operatorëve në ndërtimin e objekteve, në Ferizaj, Gjilan dhe në Gjakovë.

Ndërsa, gjatë raportimit nga Sekretariati për numrin e automjeteve në prokuroritë e Kosovës, u vlerësua se ka nevojë për shtimin e veturave në të gjitha prokuroritë e Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës së prokurorisë Themelore të Pejës, për shtyrjen e afatit të praktikës për dy praktikantë në këtë Prokurori, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka marrë vendim që mos ti lejohet shtyrja e mbajtjes së praktikës, më shumë se gjashtë muaj, pasi një gjë e tillë është e rregulluar me Memorandum.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka vendosur dhe kërkuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, dhe nga Sekretariati që për rrjedhjen  e buxhetit për vitin 2013 të paraqes raport me shkrim, dhe të raportoj në mbledhjen e radhës së KPK-së.

Ndërsa, sa i përket kërkesës për IPA projekte të financuara nga BE-ja, KPK-ja pasi shqyrtoi kërkesën, aprovoi propozimin që t’i bëhet kërkesë IPA-së për vazhdimin e projektit aktual të mbështetjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu, KPK-ja, ka emëruar, Armend Hamitin, prokuror nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, vëzhgues nga Prokurori i Shtetit, në Euro-Just dhe European Judical Netëork.

Në fund të këtij takimi në emër të KPK-së, kryetari i Këshillit z. Ismet Kabashi, ndau mirënjohje për Naser Hasanin, Menaxher i zyrës për analiza dhe hulumtime, në Njësitin e Performancës së Prokurorëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, për punën e bërë në instalimin e dy bazave për menaxhimin elektronik të lëndëve.