2254 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vlerësohet Projekti i Binjakëzimit të BE-së për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial

Prishtinë, 17 janar 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, z.Bahri Hyseni, ka mbajtur një takim me drejtuesin e Projektit të Binjakëzimit të BE-së për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial, z. Gulio Adilardi, me ç’rast ka diskutuar për rrjedhat e projektit, aktivitetet e realizuara, rekomandimet e dhëna që nga fillimet e këtij projekti të çmuar dhe çështjet e bashkëpunimit të ndërsjellë në vitin 2019.

Z.Bahri Hyseni ka falënderuar z.Gulio Adilardi për ofrimin e mbështetjes së veçantë për Prokurorinë Speciale, si dhe për organizmin e trajnimeve dhe vizitave studimore, të realizuara gjatë vitit 2018, të cilat kanë ndikuar në ngritjen e performancës së përgjithshme profesionale dhe menaxhuese. “Pra janë përfillur shumica e rekomandimeve tuaja, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në ngritjen e performancës së shërbimeve profesionale-administrative në sistemin prokuroria, kurse pjesa e mbetur e rekomandimeve do të trajtohen në kuadër të Planit Strategjik 2019-2021”, ka thënë kreu i KPK-së.  

Kreu i Projektit të Binjakëzimit të BE-së për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial, z. Gulio Adilardi, ka uruar Kryesuesin e KPK-së, z. Bahri Hyseni, për marrjen e detyrës së re në krye KPK-së, duke shprehur bindjen e plotë për vazhdimin e bashkëpunimit të deritashëm për mbështetjen në fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.     

Ndërkohë, Kryesuesi i KPK-së, z.Hyseni, ka theksuar se ndër kërkesat e parashtruara është edhe ajo që ka të bëjë me ofrimin e listës së rekomandimeve për Këshillin Prokurorial, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë për vitin 2019.