2251 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial priti në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor

Prishtinë, 16 janar 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Bahri Hyseni, ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, z.Nehat Idrizi, me ç’rast kanë  bashkëbiseduar për zhvillimet e përgjithshme përbrenda sistemit të drejtësisë, me fokus të veçantë për agjendat e përbashkëta të vitit 2019.

Të dy krerët e sistemit të drejtësisë shprehën gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar në fuqizimin dhe avancimin e zbatimit të ligjit në kuadër të kompetencave të tyre përkatëse, për të punuar për përmbylljen e tranzicionit në sistemin e drejtësisë dhe për të sjellë ndryshimet e duhura, si dhe për të zhvilluar dhe avancuar partneritetin strategjik me faktorët e brendshëm dhe të jashtëm.

Gjithashtu, në këtë kontekst, një vëmendje e posaçme në takimin e sotëm iu kushtua edhe koordinimit të aktiviteteve për reformat në drejtësi, hyrjes në fuqi të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, koordinimit për rishikimin e akteve nënligjore, statusit të të dy administratave dhe koordinimit të agjendave për mbajtjen e takimeve të përbashkëta KPK-KGJK.

Në fund të takimit, z. Hyseni ka falënderuar z. Idrizi për vizitën dhe diskutimet e zhvilluara me këtë rast për koordinimin e nevojshëm të fushëveprimtarive përkatëse menaxhuese, të cilat janë në funksion dhe do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Nga ana tjetër, kreu i KGJK-së ka uruar të parin e KPK-së për detyrën e re, duke shprehur bindjen se me përvojën dhe profesionalizmin e tij do të çmojë dhe ngritë bashkëpunimin e ndërsjellë në nivelin më të mirë institucional.