2247 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Bahri Hyseni zgjidhet Kryesues i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 14 janar 2019 – Në takimin e 160-të KPK-së, të cilin e ka kryesuar në përmbyllje të mandatit të tij, z.Blerim Isufaj, morën pjesë anëtarët e Këshillit dhe mediat, në të cilin në vijimësi u miratuan pikat e parapara të rendit të sotëm të ditës.

Ndër pikat qendrore të këtij takimi ishte procedimi i zgjedhjes së Kryesuesit të ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ngaqë në takimin e fundit ishte marrë vendimi për shpalljen e thirrjes publike për paraqitjen e nominimeve për kandidatët e interesuar për t’u zgjedhur në pozitën e Kryesuesit të Këshillit.

Gjatë procedimit të kësaj pike u zhvilluan të gjitha procedurat sipas nenit 3 dhe paragrafit 6 të Rregullores nr.01/2017 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores nr.09/2015 për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit, me ç’rast kryesues i ri u zgjodh me votim të fshehtë dhe unanim për një mandat dyvjeçar 2019-2020, Anëtari i deritashëm i KPK-së dhe Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative të KPK-së, z.Bahri Hyseni.

Z.Bahri Hyseni elaboroi paraprakisht para anëtarëve vizionet e tij për udhëheqjen e Këshillit gjatë mandatit të tij dyvjeçar, duke thënë se do të punojë me fokus të veçantë për fuqizimin e mëtejshëm dhe dinamizmin e të gjitha proceseve të zhvillimit dhe zbatimit të ligjit në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Kryesuesi i takimit prezantoi para anëtarëve të Këshillit edhe vlerësimin e performancës për Drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Lavdim Krasniqi, për periudhën 2016-2018, të cilit në bazë të nenit 37 të Rregullores nr.10/2015 për organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës iu vazhdua mandati me vota unanime edhe për tre vjetët e ardhshëm (13 shkurt 2019 - 12 shkurt 2022), duke thënë se me performansën e tij pozitive ka bërë që proceset e përgjithshme administruese të jenë në nivelin më të mirë dhe më të dëshiruar institucional.

Po ashtu në vijim të takimit është miratuar edhe Plani i Punës së Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për vitin 2019, i cilië është prezantuar nga drejtori i NJSHPP-së, z.Valon Jupa.

Në përfundim të takimit të parë të fillimvitit 2019, z. Blerim Isufaj iu drejtua anëtarëve të Këshillit me rastin e përfundimi të mandatit të tij trevjeçar 2016-2018, duke falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, përfshirë mediat dhe shoqërinë civile, faktorët e brendshëm dhe të jashtëm për punën e përbashkët ekipore, rezultatet dhe arritjet e sistemit prokurorial gjatë mandatit të tij.

Ndihem i nderuar që kam pasur fatin dhe mundësinë të udhëheqë këtë institucion të rëndësishëm përgjatë këtyre tre vjetëve. Gjatë kësaj periudhe, Këshilli ka arritur të realizojë procese shumë të rëndësishme për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial të Republikës se Kosovës, të cilat janë paarqitur në një Përmbledhje të aktiviteteve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (2016-2018) në në mënyrë më të detajuar për proceset e realizuara gjatë kësaj periudhe trevjeçare dhe për sfidat me të cilat jemi ballafaquar”, ka thënë z. Blerim Isufaj.