2243 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Sekretariati i KPK-së finalizon planet e punës së njësive organizative për vitin 2019

Prishtinë, 10 janar 2019 – Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Lavdim Krasniqi, ka mbajtur dy tryeza diskutimi për planet e punës për vitin 2019, në të cilat morën pjesë udhëheqësit e njësive organizative të SKPK-së dhe administratorët e të gjitha prokurorive. 

Z. Lavdim Krasniqi, ka theksuar me këtë rast se planet e punës për vitin 2019 janë tejet të rëndësishëm, ngaqë dihet se jemi duke hyrë në një fazë më të avancuar të zhvillimit administrativ të sistemit prokurorial në Kosovë.

Në këto tryeza diskutimi janë prezantuar veç e veç planet sektoriale, me fokus të veçantë në objektivat e punës, me qëllim që të jenë të qarta, të matshme dhe të arritshme përgjatë  rrugës njëvjeçare të fushëveprimtarisë administrative.

Në përfundim është thënë se në tryezat e diskutimit kanë mbizotëruar diskutimet profesionale, si dhe janë dhënë rekomandimet për përmirësimet e nevojshme dhe udhëzimet për ndryshime, të cilat janë në funksion të harmonizimit të veprimeve, me ç’rast është finalizuar struktura e platformës planifikuese për vitin 2019.   

Në kuadër të përgjegjësive administrative të Sekretariatit të KPK-së dhe mbështetjes së tij për të gjitha prokuroritë dhe përgjithësisht për tërë sistemin prokurorial, planet e punës për vitin 2019 janë harmonizuar sipas mundësive buxhetore, përfshirë funksionalizimin e Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL), avancimin dhe fuqizimin e komunikimit publik, ofrimin e shërbimeve të nevojshme për Këshillin, komisionet e tij dhe Prokurorin e Shtetit, si dhe zbatimin e projekteve të teknologjisë informative, arkivave, burimeve njerëzore, duke marrë parasysh sfidat e përgjithshme.