223 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U NËNSHKRUA MEMORANDUM BASHKËPUNIMI NË MES KPK-SË, KGJK-SË, KQZ-SË, PK-SË DHE PZAP-SË LIDHUR ME ZGJEDHJET 2013

Prishtinë, 18 shtator 2013 – Sot u nënshkrua memorandum bashkëpunimi në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhorë, Policisë së Kosovës dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është ngritja e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të institucioneve të lartpërmendura, për ndërmarrjen e aktiviteteve të luftimit me sukses, përfshirë parandalimin, e të gjithë atyre që bien në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi lidhur me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Memorandumi është nënshkruar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ismet Kabashi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhorë, znj. Valdete Daka, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, si dhe nga kryetari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, z. Shukri Sylejmani.

Nënshkruesit e marrëveshjes janë zotuar se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive do të ndërmarrin masa dhe aktivitete në parandalimin dhe luftimin e abuzimit që mund të ndodh në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013. 

Ky memorandum do të hyjë në fuqi nga dita e sotme, ndërsa do të përfundoj së zbatuari në momentin e zgjidhjes së të gjitha rasteve para gjykatave me aktgjykim të formës së prerë dhe ekzekutimit të vendimeve.