2222 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Sqarim për media nga Sistemi Prokurorial i Kosovës

Prishtinë, 15 dhjetor 2018 – Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit sqaron opinionin lidhur me shkrimin e botuar sot në gazetën e përditshme “Koha Ditore” faqe 4, me titull: “Këshilli Prokurorial i jep tender kompanisë e cila nuk mund t’i paguaj punëtorët”.

Ju njoftojmë se ky tender ende është në procedurë të ri-vlerësimit nga Divizioni i Prokurimit në kuadër të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, që do të thotë se ende nuk është marrë vendim përfundimtar që e përcakton fituesin e tenderit.

Po ashtu, ju njoftojmë se në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë nuk është kërkuar nga operatorët ekonomik bërja e një analize lidhur me pagesat e stafit.

E në bazë të Ligjit të Prokurimit neni 59, paragrafi 4, thekson se “Autoriteti kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit”.

Pavarësisht se nuk është kërkuar në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë nga operatorët ekonomik bërja e një analize lidhur me pagesat e stafit, duke u nisur nga vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), Divizioni i Prokurimit në kuadër të Sekretariatit të Këshillit Prokuroril të Kosovës, ka kërkuar nga Operatori Ekonomik, i rekomanduar për kontratë një deklaratë se me çmimin e ofruar mund ti kryej të gjitha obligimet ndaj punëtorëve. Operatori në fjalë i është përgjigjur shkresës dhe është zotuar se do t’i respektoj të gjitha ligjet në fuqi që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve, dhe do të zbatoj pikën 1.1 të vendimit të Qeverisë nr.04/33 të datës 17.08.2011, për pagën minimale në nivelin nacional.

Gjithashtu, njoftojmë opinionin publik se institucioni i Prokurorit të Shtetit, asnjëherë nuk është marrë me vlerësimin e ofertave dhe me procedurat e prokurimit. Kjo është në kompetencë ekskluzive të Sekretariatit të KPK-së, të cilën gjë shumë mirë e din autorja e shkrimit, pasi që e njëjta gazetare e përcjell veprimtarinë e Sekretariatit, të KPK-së dhe të Prokurorit të Shtetit. Mirëpo e njëjta me kujdes i keqprezenton faktet duke pasur qëllim të ultë për të krijuar bindjen që institucioni i Prokurorit të Shtetit i vlerëson ofertat e operatorit ekonomik dhe vendos në procedurat e tenderimit.

Një dezinformim i tillë i opinionit është bërë edhe para disa ditëve, me keqdashje nga ky medium, duke njoftuar opinionin se Kryeprokurorit të Shtetit i është rritur rroga, gjë e cila nuk ka qenë e vërtetë dhe më vonë është demantuar.

Andaj, kërkojmë nga mediat që mos të publikojnë shkrime të pavërtetuara, që kanë të bëjnë lidhur me sistemin prokurorial, pasi që publikimi i çdo lajmi të pakonfirmuar konsiderohet tendencioz ndaj sistemit prokurorial.