2204 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

KPK-ja organizon punëtori për finalizimin e Planit strategjik për vitet 2019-2021

Prishtinë, 30 nëntor 2018 - Këshilli Prokurorial i Kosovës ka organizuar një punëtori treditore për finalizimin e Planit strategjik dhe Planit të veprimit për vitet 2019-2021, në të cilën janë duke marrë pjesë Kryesuesi i KPK-së, z.Blerim Isufaj, anëtarë të Këshillit, prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kryesuesit e komisioneve, drejtuesit dhe personeli administrativ i KPK-së. 

Z.Blerim Isufaj, në fjalën e tij hyrëse, ka potencuar fuqishëm rëndësinë e finalizimit të Planit strategjik dhe Planit të veprimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2019 – 2021, i cili do të determinojë rrugën e zhvillimit të veprimtarisë prokuroriale përgjatë tre vjetëve të ardhshëm.

Këshilli Prokurorial i Kosovës e di qartë se realizimi i synimeve dhe objektivave standarde të zbatimit të ligjit kalon nëpërmjet hallkave të planifikuara dhe të mirëmenduara strategjike, pra kalon nëpërmjet një plani të detajuar strategjik, i cili ndërlidh, orienton drejt dhe udhëzon saktë rrugën trevjeçare të zhvillimit të sistemit prokurorial, prandaj do të diskutojmë dhe finalizojmë një platformë moderne dhe të prosperuar, mbi të cilën do të ecën sigurt e në mënyrë të integruar zbatimi i ligjshmërisë dhe menaxhimi i duhur sektorial”, ka thënë z.Isufaj.   

Ndërkaq, z.Bahri Hyseni, Kryesues i Grupit Punues, ka folur për qëllimin dhe objektivat e punëtorisë për finalizmin e këtij plani të rëndësishëm, me ç’rast ka theksuar se diskutimet profesionale në këtë punëtori do të bëjnë të mundur përfundimin e tërë strukturës së Planit strategjik për vitin 2019-2021.

Gjatë zhvillimit të procedurës së përmbylljes së këtij Plani strategjik, i cili do të jetë një mjet udhëheqjeje për sistemin prokurorial, është njoftuar se KPK-ja ka plotësuar standardin e përfshirjes së grupeve të parapara për hartim në Grupin Punues - prokurorë, joprokurorë dhe personelin e Sekretariatit dhe Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive të KPK-së. 

Plani strategjik dhe Plani i Veprimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2019 – 2021 do të identifikojë orientimet esenciale, me ç’rast do të ofrojë udhëzime se si të plotësohen nevojat e udhëheqjes dhe menaxhimit, të cilat mund të përfshijnë zgjedhjen e duhur të metodave të punës, duke kategorizuar dhe caktuar prioritetet qartazi në rrugën që kemi përpara, të cilat në të ardhmen afatmesme paraqesin një pasqyrë reale të përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit prokurorial.

Planit Strategjik dhe Plani i Veprimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2019 – 2021 do të jetë produkt i diskutimeve të Grupit Punues për secilën çështje veç e veç, duke paraqitur zgjidhje të zbatueshme në drejtim të zhvillimit strategjik, gjithashtu, në mënyrë koherente do të përcaktojë pikësynimet, suksesin e matshëm dhe transparencën, duke pasur parasysh aspektin financiar, burimor dhe praktik, si dhe qëndrueshmërinë, perceptimin publik dhe frymëzimin e besimin të publikut në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.