2200 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 158-të me radhë

Prishtinë, 27 nëntor 2018 – Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur takimin e 158-të me radhë, të cilin e ka udhëhequr Kryesuesi i tij, z. Blerim Isufaj, me ç’rast janë shqyrtuar dhe miratuar një mori pikash të parapara në rendin e ditës së sotme. 

Kryesuesi i KPK-së, z. Blerim Isufaj, ka njoftuar anëtarët për nënshkrimin e katër akteve të rëndësishme institucionale, të lidhura në emër të Këshillit Prokurorial, siç janë: Marrëveshja e Mirëkuptimit me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit në mes të KPK-së dhe Universitetit të Prishtinës për kryerjen e ekspertizave dhe superekspertizave nga ana e ekspertëve të fakulteteve për nevojat e Prokurorit të Shtetit, pastaj  me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ndërmarrjen Publike Komunale “Trafiku Urban” në Prishtinë për sigurimin e  shërbimit të transportit  për të punësuarit në gjykata dhe prokurori në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali; Deklarata e Përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës për Projektin “Drejtësia 2020”, deklaratë kjo, që paraqet shprehjen e vullnetit për të marrë përsipër përgjegjësitë koordinuese për të zbatuar agjendën “Drejtësia 2020”, duke ushtruar kompetencat e tri institucioneve për të realizuar përmbylljen e tranzicionit në sistemin e drejtësisë dhe për t’u dhënë fund lëndëve të vjetra, duke vijuar me Marrëveshjen e Mirëkuptimit për financimin e Projektit “Fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës” nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria e Irlandës Veriore, si dhe Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë për financimin e zbatimit të Fazës së Konsolidimit  të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve.

Në ndërlidhje me marrëveshjen e fundit, z. Isufaj prezantoi para anëtarëve të KPK-së edhe rrjedhat e vënies në zbatim të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL), me ç’rast nënvizoi zhvillimet pozitive lidhur me regjistrat e lëndëve nëpër regjione, raportet e lëndëve të kryera, progresin e kryerjes së tyre dhe zbatimin e planeve të trajnimeve në prokuroritë e vendit. “Sistemi elektronik i SMIL-it është ndër më të avancuarit në rajon dhe më gjerë, i cili llogarit saktë peshën e lëndëve dhe bën shpërndarjen automatike të tyre, duke krijuar mundësi të mëdha të planifikimit dhe parakushte të mëdha për zhvillimin e sistemit prokurorial”, ka thënë z. Blerim Isufaj.

Ndërkohë, Raportin nëntëmujor të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për harmonizimin e statistikave për veprat penale karakteristike e ka prezantuar Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, z. Lavdim Krasniqi, me ç’rast theksoi se gjatë parashtrimit të kallëzimeve penale, 82. 64 % kanë rezultuar me aktvendime fajësuese të nxjerra nga ana e gjykatave të vendit, e dhënë kjo, të cilën anëtarët e Këshillit Prokurorial e vlerësuan lart, ngaqë, faktikisht, tregon përformancë të mirë të prokurorëve dhe nxjerrë suksesin e institucionit të Prokurorit të Shtetit. 

Po ashtu, në përfundim të takimit të sotëm, KPK-ja ka marrë vendim për shpalljen e një pozite për avancim nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Pejë.