218 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U MBAJ TAKIMI I RADHËS SËANËTARËVE TË KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 29 gusht 2013 - Me iniciativë të Kryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës njëherësh Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi, është mbajtur takim me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, përfaqësuesin e Komisionit Qendror Zgjedhor, z. Haki Krasniqi,  përfaqësuesin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, z. Mul Desku,  përfaqësues të shoqërisë civile nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, z. Betim Musliu, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.


Takimi ka pasur për qëllim koordinimin dhe ngritjen e bashkëpunimit në mes të të gjithë akterëve të lartpërmendur. Hisedarët janë pajtuar që në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të ndërmarrin masa dhe aktivitete në parandalimin dhe luftimin e abuzimit që mund të ndodh në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013. Për më tepër, prokurorët do të luajnë rol pro-aktiv në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha formave të abuzimit, përfshirë veprave penale të cilat janë risi në Kodin Penal, duke e shpallur kështu prioritet gjatë kësaj periudhe këtë formë të krimit. 

Iniciativa e Kryeprokurorit të Shtetit u përshëndet dhe u përkrah nga të gjithë pjesëmarrësit në takim. Si rezultat, hisedarët e lartpërmendur do të nënshkruajnë memorandum të mirëkuptimit, ku do të përcaktohen detyrat dhe përgjegjësit e secilit institucion për të siguruar një proces të drejtë dhe të garantuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi. Në ditët në vazhdim do të përgatiten edhe planet e veprimit për secilin institucion. 

Shoqëria civile dhe mediat do të inkurajohen të japin kontribut në përpilimin e memorandumit të bashkëpunimit, i cili do të finalizohet më së largu me 15 shtator. Deri në zgjedhjet e nëntorit 2013, publiku do të informohet rreth pasojave dhe rreziqeve të përfshirjes në manipulim të zgjedhjeve përmes një fushate sensibilizuese mirë të koordinuar me media dhe shoqëri civile. 

Këto angazhime tregojnë edhe një herë vullnetin dhe përkushtimin e Prokurorit të Shtetit për sundim të ligjit dhe luftim të krimeve të ndryshme, në këtë rast, me fokus në krimet që ndërlidhen me procesin zgjedhor.