217 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U MBAJ TAKIMI I RADHËS SË ANËTARËVE TË KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 13 gusht 2013 – Sot u mbajt takim i radhës së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Në këtë takim u bë shqyrtimi i performancës së prokurorëve: Arben Kadriu, nga Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Agron Matjani nga Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, të cilëve iu skadon mandati fillestar më 20 gusht 2013.
Pas shqyrtimit të vlerësimeve të punës së prokurorëve dhe dokumentacionit tjetër përkatës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, morri vendim që t’i propozoj presidentes së Republikës së Kosovës të bëj riemërimin e prokurorëve Kadriu dhe Matjani me mandat të përhershëm.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për kandidatët, të cilët kanë kaluar provimin hyrës  për ndjekjen e trajnimit fillestar për prokurorë, të organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës.  Këshilli Prokurorial i Kosovës morri vendim që për të gjithë këta kandidatë, Zyra për Vlerësim e Verifikim Gjyqësor e Prokurorial, të bëjë verifikimin e të kaluarës së tyre para se ta ndjekin trajnimin fillestar për  prokurorë, në mënyrë që nëse verifikimi i të kaluarës së ndonjërit prej tyre rezulton me pengesa për emërim të tyre në pozitën e prokurorit, të mos investohet në ta kot.
Në fund të këtij takimi anëtari i Këshillit Prokurorial, avokati Teki Bokshi, i njoftoi anëtarët e Këshillit se Oda e Avokatëve të Kosovës ka ndërruar metodologjinë e caktimit të mbrojtësve sipas detyrës zyrtare. 
Në kuadër të ndryshimeve tani e tutje nuk do të dërgohet lista e avokatëve për mbrojtje sipas detyrës zyrtare në prokurori, por kur paraqitet nevoja për  angazhim të mbrojtësit sipas detyrës zyrtare, prokuroria duhet ta thërras administratorin e degëve regjionale të Odës së Avokatëve dhe i njëjti ta thërras avokatin mbrojtës nga lista e avokatëve, sipas renditjes nga regjioni përkatës. 
Për këtë çështje kryeprokurori Kabashi premtoi se do të kërkoj nga të gjithë prokurorët e vendit që ta respektojnë dhe zbatojnë këtë metodologji.