2169 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vazhdon puna për finalizimin e draftit të Kodit të Etikës për Prokurorë

Prishtinë, 6 nëntor 2018 -  Komisioni për Çështje Normative ka mbajtur takimin e radhës në kuadër të finalizimit të draftit të Kodit të Etikës për prokurorë, i udhëhequr nga Kryesuesi z.Bahri Hyseni, në të cilin morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Kryesuesi i Komisionit Disiplinor, kryeprokurorët e prokurorive themelore të Gjilanit dhe Prizrenit, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së, Ambasadës së Holandës, shoqërisë civile dhe administratës së Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas praktikës së krijuar të punës në Komisionin për Çështje Normative, në takim është trajtuar nen për nen drafti i Kodit të Etikës për Prokurorë, me ç’rast u vendos që hartimi i tij të vazhdojë edhe javën e ardhshme, në mënyrë që të përmbyllet sa më shpejt ky dokument profesional i rëndësishëm për sistemin prokurorial të Kosovës.

Kodi i Etikës përcakton dhe definon sjelljen etike të prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, i cili deri në fund të këtij viti kalendarik do të procedohet për miratim nga Komisioni për Çështje Normative në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Siç është njoftuar edhe më herët, në mbështetje të zbatimit të këtij kodi do të hartohet një udhëzues i veçantë, proces ky, që është duke u mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë me anë të një grupi prokurorësh dhe ekspertësh të këtij vendi, si dhe prokurorë dhe profesionistë të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe Lëvizjes “Fol”.