2156 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vazhdon mbështetja e Këshillit Prokurorial për zbatimin e SMIL-it në prokuroritë themelore

Prishtinë 1 nëntor 2018 – Orientimet e përbashkëta të zbatimit të mëtejshëm të SMIL-it, precizimi  i detajuar për afatet kohore, resurset dhe metodologjia efikase e trajnimit të stafit dhe qasja e avancuar administruese e resurseve të përgjithshme, si dhe mundësia e krijimit të kushteve të mira të punës në Prokurorinë Themelore të Pejës, ishin në fokus të vizitës së Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Lavdim Krasniqi dhe Udhëheqësit të Departamentit për Teknologji Informative, z. Nexhat Haziri, në kuadër të zbatimit të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, me ç’rast janë takuar me kryeprokurorin, z. Agim Kurmehaj dhe stafin administrativ të kësaj prokurorie.

Me këtë rast, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, z.Agim Kurmehaj, ka falënderuar Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili po vazhdon mbështetjen e nevojshme përmes Sekretariatit për zbatimin e SMIL-it, duke shprehur gatishmërinë e plotë për aplikimin e këtij projekti të rëndësishëm kombëtar.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar që pas procesit të trajnimit të bëhet planifikimi i vënies në zbatim të përdorimit të tërësishëm të SMIL-it, duke regjistruar të gjitha rastet në sistemin real, gjë që nënkupton një digjitalizim të plotë të punës, megjithatë, me theks të veçantë është diskutuar edhe për dinamikën dhe lehtësimin e procedurave të punës gjatë përpunimit të lëndëve, duke garantuar ofrimin e mbështetjes për mundësinë e regjistrimit të lëndëve në punë dhe përcjelljen e planit të punës për përdorimin e tij.

Këshilli Prokurorial i Kosovë do të vazhdojë përmes Sekretariatit mbikëqyrjen e aplikimit dhe zbatimit të SMIL-it në të gjitha prokuroritë e vendit, duke arritur avancimin dhe integrimin e tërësishëm të këtij procesi të punës, të barasvlershëm me nivelet evropiane të menaxhimit informativ të lëndëve prokuroriale.