2148 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi i KPK-së priti në takim lamtumirës Këshilltaren e EULEX-it

Prishtinë, 29 tetor 2018 -  Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z Blerim Isufaj, ka pritur në një takim lamtumirës Këshilltaren e EULEX-it në Këshillin Prokurorial dhe institucionin e Prokurorit të Shtetit, znj.Agatha Bouten.

Z. Blerim Isufaj i ka shprehur falënderim të veçantë znj. Bouten për mbështetjen e vazhdueshme dhe ofrimin e ndihmës së pakursyer për forcimin e kapaciteteve të përgjithshme prokuroriale për shumë vite me radhë, me ç‘rast për angazhimin e saj shumëvjeçar në cilësinë e Këshilltares së EULEX-it i ndau një mirënjohje për kontribut të çmuar në zhvillimin dhe avancimin e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Ne kemi pasur fatin e mirë të bashkëpunojmë me një profesioniste të tillë siç është znj.Bouten, e cila ishte vazhdimisht në mbështetje të ngritjes së kapaciteteve tona, andaj edhe do të mbetet në gjurmët e zhvillimit dhe avancimit të përgjithshëm të sistemit prokurorial të Kosovës”, tha me këtë rast Kryesuesi i KPK-së, z. Isufaj.     

Znj. Agatha Bouten është një eksperte holandeze, e cila ka dhënë kontribut të gjatë në fushën e hartimit të akteve nënligjore, ngritjen e kapaciteteve administrative dhe në proceset e rekrutimit të prokurorëve dhe personelit të sistemit prokurorial të Kosovës, si dhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar juridik.