2121 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U mbajt takimi i Komisionit për Çështje Normative

Prishtinë, 16 tetor 2018 – Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesi, z. Bahri Hyseni, ka mbajtur sot takimin e radhës, në të cilin morën pjesë anëtarët e Komisionit, kryeprokurorët e prokurorive themelore, prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorive themelore, si dhe drejtori i Sekretariatit të KPK-së.

Kryesuesi Hyseni ka theksuar në hapje të takimit nevojën e afatizimit të punës së grupeve të caktuara për përfundimin e punës së plotësim-ndryshimeve të katër akteve nënligjore - Rregullores për organizmin dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit, Rregullores për transferimin dhe avancimin e prokurorëve, Rregullores për komunikim publik dhe Rregullores për ndarjen e lëndëve, me ç‘rast u vlerësua se në procesin e punës konsiderohen dokumente me prioritet të lartë.

“Planifikimi dhe afatizimi i aktiviteteve të grupeve punuese do të bëhet për të përshpejtuar dhe konkretizuar plotësimin dhe ndryshimin e këtyre rregulloreve, në mënyrë që të përmbyllim synimet e Komisionit për Çështje Normative, gjegjësisht, Këshillit Prokurorial, për vitin 2018”, ka thënë z. Bahri Hyseni.

Në përfundim të takimit u vendos që grupet punuese t‘i sjellin komentet e tyre deri më datën 1 nëntor, ndërsa më 3-4 nëntor do të mbahet takimi i përbashkët i të gjitha grupeve për harmonizim, ngaqë Këshilli Prokurorial i Kosovës planifikon që këto katër projektrregullore të rëndësishme të miratohen deri në fund të vitit, të cilat do të ngritin efikasitetin e sistemit prokurorial.