2105 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U mbajt takimi i Bordit Drejtues të Projektit të Sistemit për Menaxhim Informativ të Lëndëve

Prishtinë, 3 tetor 2018 - Në kuadër të zbatimit të Projektit të Sistemit për Menaxhim Informativ të Lëndëve (SMIL) është mbajtur takimi i Bordit Drejtues, me ç ‘rast morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Nehat Idrizi, dy drejtorët e sekretariateve - Këshillit Prokurial dhe Këshillit Gjyqësor, Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjakovës, z.Vaton Durguti, stafi menaxhues i Projektit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Në këtë takim janë prezantuar dhe diskutuar Projektpropozimi për fazën e konsolidimit (janar 2019 – dhjetor 2021), Raporti i gjashtë për trajnimin dhe vënien në përdorim të SMIL-it në pesë regjione kosovare dhe buxheti i Projektit.

Në vijim të takimit të këtij bordi janë shqyrtuar në mënyrë të detajuar planifikimi dhe parakushtet e zbatimit të kësaj faze, zhvillimi i sistemit të mëtutjeshëm, rekrutimi i stafit në kuadër të projektit, si dhe bashkëfinancimi i dy këshillave në kuadër të projektit për të siguruar dhe garantuar qëndrueshmërinë e tij.

Bordi Drejtues ka aprovuar në fund të takimit të gjitha pikat e agjendës së diskutuar, ku janë përmbledhur përcaktimet e përgjithshme të vendosjes së Sistemit për Menaxhim Informativ të Lëndëve në institucionet e drejtësisë kosovare.   

Projekti SMIL është iniciuar në shkallë kombëtare për të përmirësuar efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën, kurse përgjegjës për zbatimin e tij janë Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.