2054 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Këshilli Prokurorial vazhdon takimet në institucionet e rëndësishme të drejtësisë në Francë

Prishtinë - Paris, 12 shtator 2018 – Kryesuesi dhe anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës janë pritur sot në takim nga Drejtori i Drejtorisë së Politikave Penale, z.Lefevre Pontalis  dhe Kryeinspektori i Njësisë për Inspektimin Gjyqësor, z.Patrick Poirret.

Delegacioni i Këshillit Prokurorial ka diskutuar me përfaqësuesit e këtyre institucioneve të drejtësisë franceze disa çështje me interes të veçantë për përcaktimin e politikave penale në çështjet e dhunës në familje, terrorizmit, luftimit të krimit të organizuar dhe krimit financiar, si dhe për proceset e hetimeve disiplinore ndaj prokurorëve dhe personelit, mbikëqyrjen e prokurorive dhe çështjet e etikës së tyre.

Më këtë rast është vlerësuar se këto takime do t’i shërbejnë Këshillit Prokurorial të Kosovës në hartimin e strategjive, politikave dhe akteve përkatëse për administrimin efikas dhe efektiv të sistemit prokurorial, kurse në ditët vijuese do të mbahen takime të tjera të rëndësishme në Prokurorinë e Përgjithshme pranë Gjykatës se Kasacionit dhe Gjykatës së Apelit, me ç’rast do të ketë bashkëbisedime me prokurorët e përgjithshëm pranë këtyre gjykatave, ndërsa në ditën e fundit të vizitës do të realizohet një takim në Shkollën e Magjistraturës së Francës për të diskutuar shkëmbimin e përvojave për zhvillimin profesional të prokurorëve.