2052 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Këshilli Prokurorial i Kosovës intensifikon bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë së Francës

Prishtinë, 10 shtator - Këshilli Prokurorial i Kosovës, nën drejtimin e Kryesuesit z. Blerim Isufaj, ka filluar sot një vizitë në institucionet e drejtësisë së Francës. Vizita realizohet nga 10 – 15 shtator 2018 dhe mbështetet nga Projekti i Binjakëzimit të BE-së.

Qëllimi i vizitës është njohja me praktikat e Francës në rekrutimin, transferimin, avancimin dhe vlerësimin e performancës së prokurorëve. Për më tepër, delegacioni i KPK-së do të njoftohet edhe me trajnimin e prokurorëve dhe proceset e administrimit, përfshirë resurset buxhetore dhe administrative të sistemit prokurorial.

Në këtë kuadër, gjatë ditës së sotme janë realizuar vizitat në Gjykatën e Lartë të Parisit dhe në Këshill, ku janë njoftuar me misionin, mandatin dhe funksionimin e këtij institucioni. Gjatë ditëve në vijim, do të realizohen edhe vizita në institucionet kryesore të administrimit të sistemit të drejtësisë, siç janë: Drejtoria për Shërbime Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë, Njësia për Emërim, Etikë dhe Disiplinim, Inspeksioni i Përgjithshëm i Shërbimeve Gjyqësore, Drejtoria e Çështjeve Penale, Prokurorinë e Përgjithshme pranë Gjykatës së Kasacionit dhe në Shkollën e Magjistraturës (ENM).

Në përbërje të delegacionit janë anëtarët e Këshillit Prokurorial, Drejtori i Sekretariatit dhe ai i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, përfshirë edhe zyrtarë që mbështesin Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.

Këshilli synon që praktikat e mira nga kjo vizitë dhe vizitat e tjera t’i shfrytëzojë në funksion të bërjes së politikave, strategjive dhe vendimeve për avancimin e sistemit të administrimit, menaxhimit, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes së sistemit prokurorial të Kosovës.