2048 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kreu i KPK-së takoi përfaqësuesin për sundim të ligjit në Ambasadën Britanike në Kosovë

Prishtinë, 6 shtator 2018 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Blerim Isufaj, ka pritur në takim shefin e sektorit për sundim të ligjit në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Kosovë, z.Samuel Paice.

Z. Isufaj dhe z. Paice kanë diskutuar gjatë takimit për zbatimin e projektit “Fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”, të cilin e menaxhon Ambasada e Britanisë së Madhe përmes implementuesit “Axiom International”, projekt ky, i cili parashihet të zgjasë deri në mars të vitit 2020.

Me këtë rast, kreu i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Isufaj, i ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e tij të lartë shefit të sektorit për sundim të ligjit, z.Paice, për angazhimin dhe ndihmën e pakursyer të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe popullit britanik për sistemin prokurorial të Kosovës.

Z. Samuel Paice, ka thënë se Britania e Madhe është e vendosur në fuqizimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe rolit, imazhit dhe kompetencave të Këshillit Prokurorial të Kosovës në veçanti.

Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur zotimin, vullnetin dhe përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm dhe projekteve të tjera në të ardhmen.