2036 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U mbajt takimi i rregullt i Komisionit për Çështje Normative

Prishtinë, 30 gusht 2018 – Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesi i tij, z. Bahri Hyseni, ka mbajtur sot takimin e rregullt, në të cilin ka diskutuar për çështje të ndryshme nga fushëveprimtaria e tij.

Kryesuesi Hyseni ka theksuar se Komisioni për Çështje Normative është duke vepruar me kujdes të shtuar profesional në zbatim të Planit të punës për vitin 2018. “E tërë veprimtaria është duke u realizuar në mënyrë strikte dhe në harmoni me agjendat e parapara për hartimin, plotësimin dhe ndryshimin e akteve nënligjore të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, ka thënë z.Hyseni.

Aktet, për të cilat u vendos të plotësohen dhe ndryshohen janë: Rregullorja për organizmin dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit, Rregullorja për transferimin dhe avancimin e prokurorëve, Rregullorja për komunikim publik dhe Rregullorja për ndarjen e lëndëve, me ç ‘rast u vlerësua se duhet të kenë prioritet në procesin e punës, kurse me qëllim të realizimit konkret janë përcaktuar zyrtarët përkatës dhe është vendosur që në takimet e punës të jenë edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët mbështesin KPK-në.

Gjithashtu, Drejtori i Sekretariatit të KPK-së. z.Lavdim Krasniqi, njoftoi anëtarët e Komisionit për Çështje Normative se Zyra për Komunikim Publik e SKPK-së ka hartuar Udhëzuesin për zyrtarët për komunikim publik, i cili së shpejti do të procedohet për shqyrtim.

Në vazhdim të mbledhjes u diskutua edhe për pagesën e ndërmjetësuesve dhe rastet kontestimore, në të cilat Këshilli Prokurorial i Kosovës paraqitet si palë e paditur.

Në takim morën pjesë edhe partnerët nga Ambasada Amerikane dhe EULEX-i.