2007 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U mbajt takimi i Sekretariatit të KPK-së me administratorët e prokurorive përmes videokonferencës

Prishtinë, 30 korrik 2018- Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, ka mbajtur takim me administratorët e prokurorive përmes videokonferencës, me ç ‘rast ka kërkuar llogaridhënie më efektive dhe planifikim më të mirë të punëve. Z.Krasniqi ka kërkuar që raportet të përmbajnë të dhëna për mbështetjen e prokurorive me stafin dhe pajisjet e nevojshme dhe ofrim të shërbimeve të duhura.

Gjithashtu, administratorët janë njoftuar me vendimet e fundit të Këshillit, të cilat kanë të bëjnë me proceset e menaxhimit të prokurorive në Kosovë, sistematizimin e zyrtarëve të rinj dhe punët e tyre, si dhe është diskutuar për planifikimin e avancimit dh rekrutimit në gjashtëmujorin e dytë.

Edhe buxheti ishte temë e diskutimit në takimin përmes videokonferencës së sotme, sidomos për çështjet e pranimit të lëndëve të reja dhe sipas afateve të parapara ligjore, si dhe evitimin e gabimeve në lëndë, kurse sa u përket shërbimeve të përgjithshme është debatuar për mirëmbajtjen e objekteve të sistemit prokurorial të Kosovës.

Në këtë takim, po ashtu, administratorët e prokurorive janë njoftuar edhe për përfundimin e fazës së pilotimit të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), si dhe për trajnimin e stafit administrativ dhe prokurorëve të Prokurorive Themelore në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj, me ç ‘rast është kërkuar që në bashkëpunim me Departamentit e Teknologjisë Informative të përgatitin planin kohor për trajnimin e stafit për secilën prokurori, duke filluar nga java e tretë e muajit gusht 2018.