1876 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 30 maj 2018 - Është mbajtur takimi i njëqindepesëdhjetedy i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Në fillim të këtij takimi para anëtarëve të KPK-së lidhur me aktivitetet e zhvilluara për periudhën janar–mars 2018, kanë raportuar Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, komisioni lidhur me mbikëqyrjen e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, si dhe anëtari i KPK-së, prokurori Bahri Hyseni, për Raportin e Mekanizmit përcjellës ndër-institucional për harmonizimin e statistikave për veprat penale karakteristike, raporte të cilat edhe u miratuan nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Po në këtë takim, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka njoftuar KPK-në me raportin e Prokurorit të Shtetit për vitin 2017, ndërsa kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj ka njoftuar Këshillin lidhur me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar në mes të KPK-së dhe Universitetit të Prishtinës.

Në anën tjetër, drejtori i Sekretariatit, Lavdim Krasniqi ka njoftuar Këshillin për vendosjen në funksion të databazës për të dhëna sipas udhëzimit për normë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në këtë takim ka marrë vendim për shpalljen për avancim për prokurorë për 5 pozita në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.