1773 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 27 mars 2018 - Është mbajtur takimi i njëqindedyzetenëntë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së kanë themeluar dy grupe punuese, Grupin Punues për hartim të Kodit të Etikës për Prokurorë dhe Grupin Punues për hartim të Planit Strategjik 2019-2023.

Po në këtë takim, kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel i KPK-së, prokurori Zejnullah Gashi ka prezantuar aktivitetet e këtij komisioni për vitin 2017.

Kryesuesi Blerim Isufaj ka paraqitur Raportin e punës për vitin 2017 të Këshillit Prokurorial të Kosovës, raport i cili u miratua nga ky institucion.

Po sot, drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi ka prezantuar Raportin vjetor të administratës të sistemit prokurorial të Kosovës, ku pas diskutimeve anëtarët e KPK-së e miratuan këtë raport.

Anëtarët e KPK-së, gjatë këtij takimi kanë marrë vendim për shpalljen e konkursit për Drejtor të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.