1759 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

SHBA-të dhurojnë donacion për Prokurorinë Themelore të Gjilanit

Gjilan, 20 mars 2018 – Në Prokurorinë Themelore të Gjilanit është bërë pranim-dorëzimi i pajisjeve: video konferenca, arkiv, dublikues DVD dhe pajisje përkthimi, të dhuruara për këtë prokurori nga Departamenti i Byrosë Shtetërore për Çështjet e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Pranim-dorëzimi i këtyre pajisjeve është bërë nga drejtoresha e Zyrës për Evropë dhe Azi pranë Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Erin Sawyer dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku.

Lidhur me rëndësinë e këtyre pajisjeve në ngritjen e efikasitetit në punë për sistemin prokurorial të Kosovës, përmes video konferencës ka folur kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj. Ai tha së përmes donacioneve të Ambasadës amerikane, prokuroritë e Republikës së Kosovës janë kompletuar me pajisje të ndryshme, e që përdorimi i tyre në të ardhmen do të lehtësojë mbajtjen e takimeve dhe do të rrisë efikasitetin e tyre.

Kryesuesi Isufaj më tej tha se kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjithësi ka ndihmuar në rritjen e sigurisë nëpër prokurori, sidomos sigurisë së ruajtjes së lëndëve dhe në përmirësimin e menaxhimit të prokurorive.

Ndërsa kryeprokurori Maloku, pasi ka folur për rëndësinë që këto pajisje kanë për prokurorinë që ai udhëheq, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet e tij për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë prokurori.