1707 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 23 shkurt 2018 - Është mbajtur takimi i njëqindedyzetetetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së, kanë shqyrtuar dhe aprovuar raportin e kryesuesve të komisioneve të përhershme të Këshillit Prokurorial, të cilët kanë prezantuar aktivitetet e tyre për vitin 2017.

Po sot, anëtarët e KPK-së kanë diskutuar për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, prokurorit Shqipdon Fazliu. Koordinatori Fazliu tha se periudha e katërt raportuese përmban lajme të mira, ngase në njërën anë ka ngrirje dhe sekuestrime të kënaqshme, por mbi të gjitha kjo periudhë raportuese ka edhe rezultate përfundimtare të konfiskimeve, në shumën mbi 1,200,000.00 euro.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u shqyrtua dhe aprovua raporti vjetor 2017, i komisionit mbikëqyrës për zbatimin e planit strategjik dhe të veprimit në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike dhe raportin për vitin 2017 i mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për harmonizimin e statistikave për veprat penale karakteristike.

Bazuar në Rregulloren për organizimin dhe veprimtarinë e KPK-së, mbështetur në Planin e Veprimit të Planit Strategjik 2016 – 2018, i cili ka përcaktuar dinamikën e realizimit të aktiviteteve, sot anëtarët e Këshillit, kanë shqyrtuar dhe aprovuar raportin për zbatimin e planit të veprimit të planit strategjik për periudhën tetor-dhjetor 2017.

Po sot, anëtarët e KPK-së, kanë shqyrtuar dhe aprovuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për transferimin e prokurorit, Burim Çerkini, nga Departamenti për të Mitur në Departamentin për Krime të Rënda.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë marrë vendim që prokurorit Agron Qalaj, ti vazhdohet mandati si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit edhe për 6 muaj, ndërsa, prokuroren Habibe Salihu, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ta transferojnë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, prokurorin Veton Shabani, nga Departamenti i Përgjithshëm ta transferojnë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, si dhe prokurorin Agim Kuka, nga Departamenti i Përgjithshëm ta transferojnë në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Ferizajt. Të gjitha transferimet e prokurorëve të lartcekur janë bërë për afatin kohorë 6 muaj.

Anëtarët e KPK-së kanë marrë vendim që të shpallin konkursin për avancim të prokurorëve për në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, për prokuroritë Themelore në Prishtinë, Mitrovicë dhe Ferizaj.

Prokurorja Ikramije Bojaxhiu, ka njoftuar anëtarët e KPK-së, lidhur me vlerësimin e përmbushjes së obligimeve të 16 prokurorëve, të cilët e kanë vijuar dhe përfunduar me sukses trajnimin fillestar në Akademinë e Drejtësisë.

Propozimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, për caktimin e tre udhëheqësve të departamenteve në këtë prokurori edhe për një vit, e kanë aprovuar anëtarët e KPK-së. Me këtë rast, prokurori Kujtim Munishi është caktuar udhëheqës i Departamentit të Krimeve të Rënda; prokurori Ruhan Salihu - udhëheqës i Departamentit për të Mitur dhe prokurori Fatmir Behrami - udhëheqës i Departamentit të Përgjithshëm.