1683 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 29 janar 2018 - Është mbajtur takimi i njëqindedyzetegjashtë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Në fillim të këtij takimi, duke respektuar procedurat ligjore, betimin e dha anëtarja e re e KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Apelit, prokurorja Bedrije Alshiqi, e cila ka zëvendësuar në këtë pozitë kolegun e saj nga e njëjta prokurori, Idain Smajli.

Anëtaret e KPK-së në këtë takim kanë bërë plotësim-ndryshimin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve. Anëtarja e KPK-së, prokurorja Ikramije Bojaxhiu është zgjedhur kryesuese e këtij komisioni, ndërsa anëtarja e re e KPK-së, prokurorja e Prokurorisë së Apelit, Bedrije Alshiqi është zgjedhë anëtare. Anëtar tjetër i komisionit vazhdon të jetë prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit, Lulzim Sylejmani.

Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë këtij takimi ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për avancim për 5 pozita në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Me vendim të KPK-së, “UBO Consulting”, është autorizuar për të zhvilluar një anketë me stafin administrativ të prokurorive me temë: " Perceptimet e shërbyesve civil në lidhje me ndikimet e politikes në institucionet për sundim dhe zbatim te ligjit".

KPK gjatë takimit të njëqindedyzetegjashtë, ka aprovuar rekomandimin refuzues të Komisionit të themeluar për shqyrtimin e kërkesës së ish prokurorit Suad Kuraja për marrjen e tri pagave shtese pas shkuarjes së tij në pension,

Në fund të takimit dhe me qëllim të ngritjes së performancës së prokurorëve, KPK ka miratuar Udhëzimin Administrativ Nr.01/2018, për caktimin e Normës Orientuese për prokurorët e Shtetit.