1667 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Konkluzionet e përbashkëta të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

Takimi i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPBSL)

E martë, 12 dhjetor 2017

14:00 – 16:00

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Salla e konferencave, kati i tretë

Konkluzionet e përbashkëta

 

Të pranishëm:

Z. Blerim Isufaj, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Z. Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë

Z. Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Zj. Alexandra Papadopoulou, Shefe e Misionit EULEX

Zj. Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE/Përfaqësuese Speciale e BE

dhe këshilltarët e tyre përkatës

Ky ishte takimi i parë i BPBSL i organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)

  1. Gjyqësori

Kryesuesit e BPBSL theksuan rëndësinë e procesit të rishikimit funksional të sundimit të ligjit dhe të përfshirjes të të gjithë akterëve përkatës. Në kuadër të këtij procesi, Ministria e Drejtësisë do t’i shqyrtojë të gjitha ligjet dhe mekanizmat e përcaktuar për ngritjen e efikasitetit dhe krijimin e kushteve më të mira për sundim të ligjit. Ministri i informoi kryesuesit e BPBSL rreth punës së bërë nga MD në procesin e rishikimit të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, dhe rreth afatit për takimin e parë të komisionit drejtues për rishikim funksional, që do të jetë mes 10-15 janar 2018. PSBE theksoi rëndësinë e ndryshimeve të ligjeve dhe rëndësinë e reformës në drejtësi përmes rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. U theksua se rishikimi i Kodit Penal dhe i Kodit të Procedurës Penale duhet të kryhet në mënyrën e duhur për të siguruar që produkti final të jetë i përshtatur me Acquis e BE dhe praktikat më të mira evropiane. U premtua që drafti i parë i Kodit Penal do të jetë gati shumë shpejt.

Kryesuesit e BPBSL diskutuan për konstatimet dhe rekomandimet kryesore të dala nga Raporti për shtetin 2016. Temat kryesore të diskutuara ishin: zbatimi i pakos për drejtësinë, miratimi me kohë i legjislacionit që ka mbetur; fuqizimi i burimeve financiare për sektorin e gjyqësorit dhe fuqizimi i kapaciteteve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës për të siguruar funksionimin e duhur të sistemit gjyqësor dhe administrimin e gjykatave, ngritjen e përpjekjeve për zvogëlimin e numrit të lëndëve të pazgjidhura përfshirë përmes përdorimit të mjeteve alternative për zgjidhje të kontesteve, dhe zëvendësimi i dispozitave aktuale që janë të përfshira në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial përmes miratimit të Ligjit për Zyrën e Prokurorit Disiplinor.  Të gjithë kryesuesit u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve që dalin nga Raporti për Shtetin të vitit 2016 dhe premtuan t’i ngrisin përpjekjet drejt përmbushjes së plotë të tyre.

Në lidhje me integrimin e drejtësisë në veri, të gjithë kryesuesit u pajtuan se ky ishte një sukses i madh, ndonëse u cekën disa sfida, në veçanti në lidhje me mungesën e përkthyesve. PSBE dhe EULEX premtuan ofrimin e ekspertizës dhe mbështetjes së nevojshme. Institucionet e Kosovës u zotuan për adresimin e çështjes së përkthyesve.

  1. Agjenda për Reformën Evropiane (ARE) – Komponenti për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit

PSBE theksoi se në kuadër të luftës kundër korrupsionit, theks të posaçëm i është vënë suspendimit dhe largimit nga puna të zyrtarëve publikë ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza dhe janë dënuar për korrupsion. Kjo do të jetë shenjë e përkushtimit të autoriteteve për luftën kundër kësaj çështjeje. PSBE konsideroi se rishikimi dhe miratimi i legjislacionit që e bënë obligative suspendimin dhe/apo largimin nga puna të zyrtarëve publikë ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza dhe janë dënuar për korrupsion është prioritet që autoritetet e Kosovës janë zotuar ta përmbushin në kuadër të agjendës për reforma evropiane. Ajo inkurajoi përfshirjen e dispozitave ligjore të nevojshme në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale për ta mundësuar këtë. Ministri Tahiri premtoi se MD do të jetë shumë bashkëpunuese në këtë drejtim.

Më tej, PSBE shprehi shqetësimin lidhur me amandamentimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, më saktësisht propozimin e MD për largimin e dispozitës në të cilën parashihet si në vijim: “Prokurorët që pranojnë shpërblim për këto aktivitete, nuk mund të tejkalojnë vlerën prej njëzet e pesë për qind (25%) të pagës bazë, për pjesëmarrje në veprimtaritë e parapara sipas këtij neni dhe për këtë shpërblim e njoftojnë Këshillin.” Është theksuar se largimi i kësaj dispozite mund t’i inkurajojë prokurorët që të angazhohen në aktivitete shtesë me pagesë të cilat mund të kenë ndikim negativ në efikasitetin e sistemit prokurorial. MD u pajtua që këtë çështje ta ngritë gjatë leximit të dytë të ligjit.

  1. Udhërrëfyesit

Shefja e Misionit prezantoi katër udhërrëfyes të BPBSL të hartuara nga EULEX në bashkëpunim të ngushtë me homologët vendas dhe kryesuesit e BPBSL. Udhërrëfyesit janë: udhërrëfyesi për Institutin e Mjekësisë Ligjore, udhërrëfyesi për rastet e krimeve të luftës, udhërrëfyesi për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, udhërrëfyesi për Kolegjin e Ankesave për Agjencinë Kosovare të Pronës.  

Secili udhërrëfyes është plan teknik i veprimeve me hapa konkret që institucionet kosovare të sundimit të ligjit duhet t’i ndërmarrin për të siguruar qëndrueshmërinë e kapaciteteve të institucioneve vendase me përmbylljen graduale të EULEX-it.

Ministri i Drejtësisë i informoi të pranishmit në takim se vëmendje e posaçme i është kushtuar udhërrëfyesve si mjete për përcjelljen e progresit të shënuar në këto fusha të sundimit të ligjit. Më saktësisht, Ministri Tahiri prezantoi kontributin dhe komentet e MD për katër fushat e identifikuara në udhërrëfyes.

Kryesuesit i miratuan udhërrëfyesit me zotimin për zbatimin e tyre gjatë vitit 2018 përmes grupeve punuese të dakorduara të bashkërenduara nga EULEX dhe palët përkatëse.

  1. Sfidat e KGjK/KPK

Kryesuesi i KGJK-së i paraqiti sfidat e vazhdueshme të cilat përfshijnë numrin e madh të rasteve, prolongimi i zgjidhjeve të rasteve, perceptimi i qytetarëve dhe transparenca, dhe shpjegoi planin e institucionit që ai e kryeson për tejkalimin e këtyre sfidave.

Ndër sfidat më kryesore me të cilat KPK vazhdon të përballet, pavarësisht progresit të bërë për tejkalimin e tyre, u përmendën buxheti i pamjaftueshëm dhe numri i vogël i stafit.