1627 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Isufaj: Mediat dhe shoqëria civile të jenë partnere në fuqizimin e efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë

Prishtinë, 14 dhjetor 2017 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, sot ka marrë pjesë në  prezantimin e hulumtimit “Skanimi i Integritetit në Sektorin e Drejtësisë”, i bërë nga  CILC, FOL dhe KDI.

Në fjalën e tij para të pranishmeve, kryesuesi Isufaj ka thënë së: “ky hulumtim do të jetë një bazë e mirë për KPK-në që të ndërmerr veprimet e nevojshme në fuqizimin e integritetit të sistemit prokurorial.

Nisur nga ajo që korrupsioni në sistemin prokurorial - çoftë ai real apo perceptim – paraqet kërcenim serioz dhe e dëmton jashtëzakonisht shumë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, ne jemi shumë të interesuar që në këtë drejtim të kemi partnerë shoqërinë civile. Kjo për faktin se KPK është shumë e përkushtuar në tolerancën zero ndaj sjelljeve jo etike dhe të pahijshme brenda sistemit prokurorial. E në veçanti ne angazhohemi çdo ditë në nxjerrjen e politikave që do ta bënin sa më efikase luftën kundër korrupsionit në çdo nivel që paraqitet ai, përfshirë dhe brenda institucionit.

Që ne jemi të angazhuar në luftimin e korrupsionit dëshmohet edhe me prioretetet nga ana Prokurorit të Shtetit, themelimin e një Njësitit të veçantë për këtë qellim nga Këshilli dhe numrin e rasteve të procedura në gjykatë (në 9 mujorin e parë të këtij viti, 381 raste të korrupsionit me 681 persona). Për dijeninë tuaj ne kemi ndjekur dhe akuzuar persona të të gjitha niveleve përfshirë dhe prokurorë e gjyqtarë.

Për më tepër ne synojmë që gjatë vitit të ardhshëm të avancojmë sistemin e disiplinimit të prokurorëve. Në këtë drejtim, kemi kontribuar në mënyrë aktive që të avancojmë pozitën e Prokurorit Disiplinor dhe ne shpresojmë që shumë shpejtë ky ligj të kalojë në Kuvend dhe të filloj zbatimi i tij. Ne jemi konfident se sistemi i ri disiplinimit për prokurorët do të kontribuojë në llogaridhënien dhe përmbushjen e mandatit tonë ligjor. Për më tepër ne synojmë që gjatë vitit të ardhshëm do të fillojmë hartimin e udhëzuesve të veçantë për zbatimin e Kodit të Etikës për prokurorë.

Padyshim që korniza ligjore është një pjesë shumë e rëndësishme për një sistem prokurorial me integritet por në anën tjetër po aq të rëndësishëm janë edhe aspekte tjera si kushtet për punë, numri adekuat i prokurorëve dhe personelit ndihmës si dhe ofrimi i mundësive për trajnime profesionale dhe zhvillim të karrierës.

Andaj, KPK brenda dy viteve e ka rritur në mënyrë domethënëse numrin e prokurorëve. Në këtë drejtim 25 prokurorët e emëruar në fund të vitit 2016 këtë muaj e përfundojnë trajnimin e paraparë fillestar dhe në janar 2018 fillojnë të ngarkohen me raste. Ndërsa, Komisioni për Rekrutim i themeluar nga Këshilli Prokurorial ka përzgjedhur 21 kandidatë për prokurorë dhe pas përfundimit të afatit për ankesa do të përcillen në Këshill për miratim dhe propozim te Presidenti për dekretim. Planifikohet që të njëjtit të fillojnë me trajnimin fillestar gjatë janarit 2018. Po ashtu, siç jeni në dijeni kemi rekrutuar 13 prokurorë nga komuniteti serb sipas Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi dhe të njëjtit janë duke punuar dhe i ndjekin trajnime për familjarizimin me vendin e punës. Për më tepër Këshilli Prokurorial planifikon të fillojë procesin e rekrutimit edhe të 10 prokurorëve të rinj gjatë vitit të ardhshëm e që të njëjtit do të plotësojnë pozitat e lira dhe pozitat e prokurorëve që dalin në pension gjatë vitit të ardhshëm.

Krahas rekrutimit të prokurorëve, ne planifikojmë të rekrutojmë edhe 90 bashkëpunëtorë profesional dhe zyrtarë ligjorë me qellim të dinamizimit të punës në zgjidhjen e rasteve dhe rritjes së cilësisë në punë.

Ne jemi duke punuar në avancimin e infrastrukturës fizike dhe teknologjisë informative ku presim që gjatë vitit të ardhshëm të implementojmë Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Rasteve.

Po ashtu, ne kontribuojmë në mënyrë aktive në identifikimin e nevojave për trajnim, zhvillimin e programeve trajnuese dhe koordinimin e pjesëmarrjes në trajnime të prokurorëve.

Krahas përpjekjeve tona është tejet e rëndësishme që edhe media dhe shoqëria civile të jetë partnerë ynë pasi që kjo do ta përshpejtojë fuqizimin e efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë.

Në këtë drejtim, të gjeturat dhe rekomandimet e këtij hulumtimi paraqesin shembullin më të mirë të kontributit të shoqërisë civile.

Për fund më lejoni të ju sigurojë që këto rekomandime do t’i trajtojmë me seriozitet dhe do të reflektojnë në planet e punës dhe politikat e KPK-së.”